Gjykata: Arrest shtëpie për tre të dyshuarit e përdhunimit
Masa
Gjykata ka liruar tre të arrestuarit e dy ditëve më parë, të cilët dyshohen për marrje peng dhe tentativë përdhunimi ndaj një adoleshenteje. Nga ana tjetër, policia ende nuk ka mundur të arrestojë ideatorin e këtij krimi, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pak minuta para se të mbërrinin uniformat blu. Tre të arrestuarit, Sajmir Prenga, 20 vjeç, Jah Metalija, 24 vjeç dhe Taulant Necaj, 20 vjeç, janë paraqitur dje në gjykatë, duke deklaruar se nuk kishin kryer asnjë veprim ndaj vajzës 15-vjeçare. Në këto kushte, gjykata ka vendosur për ta “arrest shtëpie” deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkaq, personi i katërt, emri i të cilit nuk është publikuar nga policia, është shpallur në kërkim dhe ende nuk është kapur. Historia rrëqethëse e adoleshentes ka nisur pikërisht më datën 17 janar. Një ditë më vonë, një e afërme e saj ka denoncuar në polici për zhdukjen dhe policia ka nisur kërkimet. Sipas policisë, ajo, sapo ka dalë nga banesa, e cila ndodhej në rrugën “Don Bosko” është takuar me të dashurin, i cili e priste me një mjet “Mercedes Benz”, me targa TR 1251 I. Të dy bashkë kanë shkuar në shtëpinë e poseduesit të mjetit, një banesë e marrë me qira në Kombinat. I dashuri ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Megjithatë, ajo nuk ka pranuar dhe këtu ka plasur sherri mes tyre. Në këto kushte, ai ka mbyllur derën dhe nuk e ka lejuar atë të dalë jashtë. Pas tri ditëve, vajza ka mundur të arratiset dhe të lajmërojë policinë, e cila ka arrestuar tre personat e lartpërmendur.
#