E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati sa një kuti votimi

03/04/2005  I ngula këmbët në një udhë, që më shpie në një fshat, që është një përzjerje bujqësie, blegtorie, industrie, rregulli e urtëse. Një fshat i padëgjuar, se nuk është njohur për bëma e për armë, për trimërira e gjurulldira. Për të shkuar deri këtu është rrugë e sajuar, pa asfalt, rrugë fshati. Rruga ime nuk është e llojit të rrugës që kërkojnë kandidatët e dehidratizuar para zgjedhjeve. As që ka të bëjë. Miqtë e vjetër nuk shpiken, kërkohen. Asnjëherë nuk e kuptova pse nuk kishte driza në këtë fshat, edhe pse emri është Drizë. Shpyllëzimi, jo vetëm gati e zhduku drizën dhe dushkun, por prishi gjithë ekuilibret e klimës së këtij vendi, i pakësoi kafshët e egra dhe lezetin e gjuetarëve. Fshati Drizë është pjesë e komunës Kozare, të Qarkut të Beratit të krahinës së Sulovës. Fshat pa histori të vjetër, pa kështjella, e pa heronj, pa muzè. Një fshat si shumica e të tjerëve, që janë ndërtuar në Shqipëri, i ndërtuar përgjatë rrugës me shtëpi njëkatëshe, oborret me lule, hijeshuar nga gjelbërimi i pemëve thurur me gardhe, çatira moderne me copa Evrope mbledhur nëpër antenat satelitore; dhe rruginat midis lagjeve rrugë dheu, rrugë të ngjeshura vetiu. Të duhen nja tridhjetë minuta kthyer nga xhadja për të mbërritur në këtë fshat. Nuk gjen këtu as stacion hekurudhe, as stacion autobusi, as semaforë, as zhurmë, as gjimnaze, as universitet. As truproja. Uh, harrova, truproja ka, por i kanë bagëtitë, janë njerëzit që i shpien në kullota. Për qejf të Zotit, në botën e tyre, me celularin në xhep, me shkopin në dorë dhe radion në dorën tjetër, nisen në grupe të vogla. Aty ka bahçe pranë njëra- tjetrës, brenda gardheve që i rrethojnë lëvizin njerëz të gjallë. Çuditet ndonjë. Më quan të marrë. Pse njerëz të vdekur lëvrijnë? Po, e theksoj, njerëz të gjallë, se, edhe pse jetojnë shumë larg qytetërimit dhe rrëmujës moderne, kanë në shpirtin e tyre më shumë qytetari dhe kulturë sa dhjetëra dhe qindra njerëz që për të shpëtuar nga provinca humbasin shumë nga virtytet e tyre të mira. Të pazotë pas kësaj, për t’u përshtatur me lartësinë marramendëse të Tiranës e Durrësit, vjedhin e vrasin, ulërasin, shajnë, dehen e tallin. Qejf për ta, pa punë, pa dinjitet, pa jetë.(?!) E pra, ai fshat me emër drize, është një komunitet, i cili i ka besuar këmbët dhe jetën një kreshte të butë. Në anën lindore dhe perëndimore gjarpëron një përrua me ujë gjatë gjithë vitit. E theksoj, me ujë, se ka ndodhur që kam parë përrenj të tharë, shtrate të shkatërruar, të ndryshuar, lumenj të gërryer. Këtu uji rrjedh, ndoshta jo si në vargjet e Lasgushit, se unë nuk pashë ndonjë shamizë me ojna, por jeta lëvrinte, ashtu, pa u ndjerë, me njerëz në hallin e tyre. Të bie në sy një liqen i vogël natyror dhe një ujëmbledhës i hershëm. Uji i pijshëm u vjen nga një ujësjellës i largët. Ah, paskan edhe ujë! ǒduan më shumë? Lanë - Tirana, përrua - këta; liqen- Tirana, liqen - Driza; Bovillë - Tirana, ujë dhe ujësjellës shtëpitë e fshatit. Disko Tirana, dasma ku kërcet kënga e vallja këtej bëhen gjithmonë.Tirana ka dhe gjëra të tjera që këtu nuk i gjen. Ka kafene ku rrinë “intelektualë”, që shesin tru leshi nga mëngjesi në darkë, këtu s’ka as intelektualë, janë të rrallë, janë fermerë, janë barinj, blegtorë, muratorë. Nuk kanë kohë të rrinë nëpër kafene. Ndonjë darkë mblidhen të rinjtë e burrat në bilardo, edhe lozin, por pas tokës, për të mbledhur brinjët. Korrenti është si mysafir i rrallë, i vakët, i ftohtë, as centrifugën e rrobalarëses nuk e rrotullon. Kompromis fjale, nuk flasim më për dritat. Punë e lodhshme. Kanë naftën e Kuçovës afër, ca puse kërcasin edhe në tokat e tyre, kanë gazin afër, dhe korrentin e provojnë rrallë. Takojmë një drizarak, në një nga dyqankat e zakonshme të fshatrave gjithandej, ku shitet çdo gjë, ku shënohet e lëtyret me vaj e sapun fleta e lapsi, ku paguhet deri në qindarkën e fundit nga lagjja përqark. Përshëndetemi. Një dorë muhabet dhe qumësht të ngrohtë e të ëmbëlsuar me mjaltë prej shtëpie. Kujtohem që jam në Shqipëri! -Ku i merrni nuset- e pyesim. - Na pëlqejnë nuset e krahinës sonë, se i njohin zakonet, traditat. Ka dhe ndonjë vajzë që martohet në qytet, por shyqyr, me të huaj nuk janë martuar. -Pse jo, me të huaj?

-Humbasin cucat tona andej, tallen të tjerët se kanë ca lekë dhe një makinë me to. Unë cucën time nuk e jap kurrë në një të huaj!

-Po ka cuca që kanë ikur vetë? - Çfarë?! Jo, asnjë. Familjet tona janë të forta. -Si janë të forta?

-Po, ja, nuk bëjmë sherre as brenda shtëpisë, as me lagje. Pse të ikin? Jo, nuk ikin kurrë!

-Më shumë lindin apo vdesin? - Më shumë fëmijë lindin. Vjet, vdiqën vetëm katër vetë, kurse u shtuam me dymbëdhjetë kolopuça. -Ku i di ti? I mban gjithë të dhënat e fshatit? -Po ne këtu jemi, të gjithë bashkë jetojmë. Më kujtoi çifutin, Isakun e Samarkandës, te “Haxhiu i Frakullës” i Vath Koreshit, që mbante listën e gjithë banorëve, kush hynte e dilte, ç’ndodhte në Samarkandë. Këtu ishte ndryshe. Ishin të gjithë Isakë të Drizës. E njihnin fshatin dhe banorët një për një. Të përshëndetnin, nuk të pyesnin, njerëz fjalëpakë, të urtë. Këtë e dallova nga gjithë ç’pashë e takova. Njerëz të thjeshtë, të butë që jetojnë hallet dhe jetët e njëri-tjetrit. Gjeja më e mënçur është, thotë njëri prej drizarakëve, se nuk ndahen njerëzit kur martohen. Mbaj mend se një çift është ndarë në ’89-ën. Më s’ka.

Ecim më tej duke e bërë rrugën në këmbë. Shkolla e vetme është fillore. Janë tre mësues dhe një edukatore. Nuk ka mësues me arsim të lartë, por me arsim të mesëm pedagogjik. Më erdhi mirë që nuk kishte mësues pa arsim përkatës, se është bërë e modës që gjen mësues ish-veterinerë, ish- agronomë, ish-asgjë, me një shkollë të mesme bujqësore, që rrisin e edukojnë njerëz që u ngjajnë më pas misrave hamullorë. Takoj një mësuese të fillores. Kohë dreke. Bisedë e ngrohtë si dielli që na ndihmoi në udhëtimin në këto anë. -I njohin kontraceptivët gratë? Dinë gjë për planifikimin familjar? -Nuk përdorin asgjë, thotë e sigurt ajo, kemi biseduar shpesh me mamatë e nxënësve, nuk dëgjojnë të përdorin. Si e ka shkruar Zoti do bëhet, të thonë. -Helmohen gratë dhe vjazat këtu? E njohin atë kokrrën e miut, besoj ke dëgjuar? -Jooo, asnjë për be! Zyshja simpatike tund kokën me një siguri e krenari. Më pëlqeu. Nuk ishte mëndjemadhe, nuk m’u duk si zyshet qytetarka që venë në shkollat e fshatit për të marrë bidonin e qumështit e torbën me vezë. E që tre ditë venë e dy ditë shesin mend rrugëve të qytetit. Ishte zonjushë e kthjellët. E donte profesionin e vet. Le e rritur aty. Mësonte fëmijët e kushërinjve, të lagjeve të tjera. Pse t’i bënte bisht punës. E njihte fshatin emër për emër, shtëpi për shtëpi, lagje për lagje. -Pse nuk e vazhdove shkollën e lartë? Do ishe bërë mësuese shumë e mirë! -Kemi nevojë për punë në shtëpi. -A ka të papunë këtu? Ajo qesh: -Si mund të ketë të papunë? Këtu njerëzit punojnë tokën. Merren me peshkim. Punojnë muratorë me mëditje. Ikin edhe në Greqi me sezone, kthehen, hedhin soletat, mbjellin, nisen sërish. Jo, të papunë nuk ka. Por as në punë nuk ka, vërtiten. Jetojnë. Mbijetojnë. E ndieje në biseda me njerëz përqark se dhembjen e kishin sa herë që largoheshin familje përgjithmonë nga fshati. Sikur u këputeshin penjtë që lidhin lëkurën. Vetëm për këto 14 vjet janë larguar dhjetë familje. Megjithatë, fshati përsëri gjallon, sepse kanë mbërritur ndërkohë familje nga fshatrat malorë, të cilët janë përshtatur për bukuri me drizarakët, pa krijuar asnjë konflikt. Njerëzit bëjnë rrugë më këmbë për në shkollën 8-vjeçare e më pas të mesme, kush e vazhdon, për të punuar në ndërtim apo në punë të rastit në fshatra fqinjë ose në Kuçovë. Nga biseda me njerëz mëson se dominon familja e madhe, e që gjithsesi shkojnë për bukuri me njëri-tjetrin, pa konflikte, pa acarime, pa urrejtje. Këtu ka bilardo, fushë sporti, ka xhamì. Megjithëse nuk ka as qeveri, as parlament, as gjakmarrje, as mitingje, njerëzit rrojnë në qetësi, marrin pjesë në hallet e të gjithëve. Më shumë janë lidhur me fisin rreth e rrotull, pastaj me lagjet, më pak me fshatrat fqinjë. Festa e fundit që mbajnë mend është Dita e Verës. Kur bëri pushimin e gjashtë a të shtatë të ditës së hënë shkolla, ata shkuan si zakonisht në arë, në ndërtim, me bagëti, janë të gjithë myslimanë, por kjo nuk ka rëndësi tek ata. Ata punojnë edhe kur është festë e krishterë, edhe kur është festë myslimanësh. Në arë nuk dalin vetëm në ditë shiu. Kur toka ngjit e nuk punohet. Lidhjet me botën e gjithçka tjetër i kanë në varësi të kohës që u mbetet. Kur bëhet ndonjë mbledhje e rrallë, e bëjnë pasdite, në të ngrysur, kur mbarojnë punët e tyre. Për politikën nuk flasin. Nuk thonë asgjë. Kemi hallet tona. Kur të mbarojmë këto, po na mbeti kohë, do kujtohemi, tani, s’ia kemi ngenë.

-Keni dëgjuar për zgjedhjet? Zënkat për datën, për komisionet? -S’kanë me ç’të merren, nuk duan të punojnë.- Opo, të vijnë të më japin një dorë në arë, mua, se po më bien kryqet!- thotë një tjetër. I bëjnë hyzmet bujqësisë me aq fuqi sa kanë. Njëri ka traktorin, punon për të gjithë, tjetri zetorin, ngarkon për të gjithë, dikush makinën shirëse, po kështu. Një ligj i pashkruar, por që funksionon shumë qartë dhe mirë. Vërtet s’ka mësues me shkollë të lartë, por janë katër specialistë të lartë të bujqësisë, nga të cilët dy agronomë, një veteriner dhe një ekonomist. Të sheh syri, jo vetëm tokë të punuar, pyje dhe shkurre, kullota dhe livadhe, liqene e ujëmbledhës, pemishte, vreshta, ullishte, është koha më e mirë për të rritur foragjeret, perimet, bostani e ka kohën më vonë. Po erdhe atëherë, do t’ju dehim me zemër shalqiri, thonë me sinqeritetin e mikpritjes. Ka dhe puse nafte. Pak, nuk janë si puset e Arabisë Saudite, ca lëvizin, ca janë si sorra të ngrira mbi serë të zezë.

Ky fshat ka dhe komunale si në qytete. Si nuk ka, nuk më besoni? Në shërbim të njerëzve që lëvizin janë dy mikrobusë, një berber dhe një këpucar, si dhe një riparues pajisjesh elektroshtëpiake. Ah, nuk ka PTT. Po kjo s’është problem, se kanë telefona celular. Nuk e njohin ministrin e Rendit, por nuk njohin as hajdutët, as kriminelët, as vrasësit as të vrarët. Policët le të ushqehen gjetkë, thonë, këtu s’ka nevojë. Kjo është jeta jonë. Kemi boll, një liqen, një përrua, një pllajë, ca tokë e bagëti. Krahët, po, janë tanët, dhe punojmë, marrim frymë. - A do votoni? Pooo!- qeshin. Nuk e njohin deputetin. Nuk vjen kurrë. Tani para zgjedhjeve po, do vijë, po kushedi ku na gjen! Duam katër orë të mblidhemi, pale të na fusë në një kuti votimi! Pa le të na e mbushë mendjen! Zor të fishkëllejë këtej ndonjë leshko – deputet si ai që na qe! Ne deputetë jemi vetë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›