Fshati turistik në Kakome, aksione dhe për banorët e zonës
Bllokimi i hyrjes në Shqipëri të një prej emrave më të mëdhenj në fushën e turizmit duket se ka gjetur një zgjidhje. Bëhet fjalë për francezët e "Club Med" që kishin marrë lejen për të ndërtuar një fshat turistik në zonën e rivierës, më saktësisht në Kakome. Në vitin 2005, kur nisi ndërtimi i këtij resorti turistik, banorët e zonës pranë bllokuan rrugën, duke pretenduar pronësinë mbi tokën. Më pas nisi një kalvar i gjatë përballjesh me institucionet shtetërore për këtë pretendim që u rrëzua si nga zyrat e pronave, por edhe më tej. Megjithatë zgjidhjen që nuk e dhanë dot institucionet shtetërore e gjetën vetë investitorët e këtij projekti. Sipas televizionit "Top Channel", në një letër drejtuar Kryeministrit Berisha, Qarkut të Vlorës dhe Komunës së Nivicës, investitorët njoftojnë se janë të gatshëm që të ofrojnë aksione, duke bërë kështu pronarë në fshatin turistik banorët e zonës. Kjo zgjidhje e paprecedentë në llojin e vet duket se synon të zgjidhë një konflikt që linte zonën sërish në një boshllëk investimesh, por edhe turizmin shqiptar të mangët. Hapi i fundit tashmë është zyrtarizimi i kontratës me ndarjen e aksioneve mbi këtë fshat turistik, i cili bëhet pronë e investitorëve francezë dhe banorëve të fshatit Nivicë.