E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në 2015, treg për 1.3 miliardë m³ gaz natyror në vit

Hartimi dhe zbatimi i ligjit "Për gazin natyror", sipas standardeve të Bashkimit Evropian, do t‘i hapë rrugë ndërtimit të gazsjellësve në Shqipëri, të cilët do të funksionojnë në bazë të rregullave të vendosura nga ERE. Pikërisht, ky Ent, i cili deri dje ka kontrolluar tregun e energjisë elektrike, tashmë do të ketë si funksion shtesë monitorimin e tregut të brendshëm për sa i përket transportimit dhe tregtimit të gazit natyror, që do të kalojë nëpër Shqipëri si transit për vendet e tjera, ose për industritë e vendit, veçanërisht për TEC-in e Vlorës. Pavarësisht kësaj, ERE nuk ka shprehur ende qëndrimin e saj, pro apo kundër ligjit, megjithatë ka vlerësuar funksionimin e këtij tregu tepër modest për vendin tonë, sipas rregullave të përcaktuara në ligj. Në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin u diskutua dje projektligji "Për gazin natyror", i hartuar nga një grup ekspertësh ndërsektorialë, me në krye Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës. Lidhur me ligjin, ministri Ruli, i pranishëm në komision u shpreh se "përmes këtij kuadri ligjor, synohet krijimi i një tregu të brendshëm për gazin natyror, bazuar mbi rolin rregullator të shtetit në furnizim dhe shpërndarje, heqjen e barrierave për krijimin e ndërmarrjeve të gazit, furnizimin ndërkufitar me gaz, si dhe krijimin e kushteve të njëjta për konkurrencën e lirë". Sipas specialistit të METE-s, Stavri Dhima, për hartimin e ligjit është marrë si referencë modeli i Bosnjës dhe Kroacisë dhe se përgatitja e tij ka qenë e nevojshme, si kusht i vendosur nga BE-ja. Dhima tha se aktualisht tregu i gazit të lëngshëm është tepër i vogël, në sasi që konsumohen deri në 11 milionë m³ në vit, të cilat shkojnë kryesisht për rafineritë e naftës. Me ndërtimin e TEC-it të Vlorës, kërkesa për gazin natyror do të arrijë në 700-800 milionë m³ në vit, duke përfshirë dhe nevojat që ka për të Metalurgjiku i Elbasanit. Po në kuadër të parashikimeve, Dhima tha se, në vitin 2015, në Shqipëri mund të kalojnë rreth 1.3 miliardë m³ gaz në vit, e në këtë mënyrë, prezenca e një ligji për funksionimin e tregut, do të jetë tepër i rëndësishëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›