E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i KESH-it, polemika mes Rulit dhe Bodes

Afrimi i afateve për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes në KESH, duket se ka ndezur disi situatën mes institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtij procesi. Qeveria dje miratoi paketën e 76 për qind të aksioneve që do të dalin në shitje, me anë të tenderit ndërkombëtar që do të zhvillohet në fillim të muajit shtator. Në paketë janë të hedhura të gjitha të dhënat e mundshme rreth procedurave që do të ndiqen drejt finalizimit të privatizimit, mënyra e kualifikimit për investitorin e interesuar, afatet e kalimit të dokumenteve, e madje edhe se sa para do të marrë IFC-ja në rast të një privatizimi të suksesshëm të OSSH-së. Pikërisht, këtë të fundit asnjë anëtar i qeverisë "Berisha" nuk e ka ende të qartë, madje as Ministria e Financave, institucioni përgjegjës mbi financat e shtetit shqiptar. Prej kohësh, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së bashku me IFC-në (degë tregtare e Bankës Botërore), ka kryer një vlerësim të aseteve që disponon pjesa e shpërndarjes në KESH, për të kuptuar më mirë se sa vlen realisht kjo ndërmarrje. Vlerësimi i aseteve ka përfunduar me kohë, por treguesit e studimit nuk bëhen të ditura. Si ministria e drejtuar nga Ruli, ashtu dhe IFC-ja, kanë rënë dakord për të mos bërë publik çmimin dysheme të OSSH, i dalë nga vlerësimi i këtyre aseteve, përfshi dhe bilancin ekonomik-financiar. Dje ishte mundësia më e mirë për të mësuar rreth çmimit që përafërsisht qeveria pretendon të shesë OSSH-në, por në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, gjatë fazës së miratimit të paketës së aksioneve që do të dalin në privatizim, Ministria e Ekonomisë nuk kishte vendosur asnjë parashikim se sa do ta nxjerrë në treg. Projektvendimi "Për përcaktimin e madhësisë së paketës së aksioneve të kapitalit të shoqërisë anonime ‘Operatori i Sistemit të Transmetimit‘, që u ofrohet investitorëve strategjikë", i miratuar dje në qeveri, kishte të bashkangjitur dhe mendimin e Ministrisë së Financave, sikundër kishte dhe të Ministrisë së Drejtësisë dhe Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Në letrën drejtuar ministrit Ruli nga zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, ky i fundit shkruan se, "në paketën e aksioneve që do të dalin në shitje, duhet të ishte përcaktuar një vlerë dysheme e çmimit që pretendohet të dilet në tender". Por, në relacionin shpjegues, ministri Ruli saktëson se, "çmimi i shitjes së OSSH-së dhe të gjitha të dhënat e tjera financiare do të mbahen të fshehura në formë konfidencialiteti deri në datën e hapjes së tenderit". Mësohet se mosdeklarimi i çmimit dysheme është kërkuar me ngulm nga ana e IFC-së, si standard i vendosur nga BB-ja, në mënyrë për të mos kushtëzuar investitorët në vlerësimin aksioneve. Në këtë pikë, edhe nëse vlera më e lartë e ofruar nga investitori do të jetë më e vogël se vlerësimi i IFC-së, kompania do të shpallet sërish fituese.

Paketa

Qeveria ka zyrtarizuar aksionet që do t‘u shiten investitorëve strategjikë në masën jo më pak se 51 për qind dhe jo më shumë se 76 për qind. Mësohet se, si pjesë e ofertës së tij teknike, ofertuesi (kompania e huaj në tender) duhet të dorëzojë një garanci të ofertës, për llogari të Ministrisë së Ekonomisë, në vlerën e 10 për qind të ofertës financiare, pra të çmimit që investitori pretendon të blejë 76% të OSSH-së. Në këtë mënyrë, Ministria e Ekonomisë do të jetë në dijeni sesa do të ofrojnë kompanitë para afatit të zhvillimit të tenderit, por për këtë është zotuar të ruajë konfidencialitetin. Në fazën e parakualifikimit kanë shprehur interes dhe janë parakualifikuar katër kompani evropiane.

Berisha:

S‘ka rëndësi çmimi

Kryeministri Berisha e konsideron shitjen e OSSH-së, (pas ARMO) si hapin e dytë më të rëndësishëm në procesin e privatizimeve në sektorët strategjikë. Në këtë pikë, Berisha preferoi të komentojë çmimin e shitjes së ARMO-s, duke e cilësuar si sukses më vete, ndërsa për OSSH-në, la të nënkuptohej se nuk ka dhe aq rëndësi vlera e privatizimit, sesa mënyra se si do të menaxhohet. "Fuqia menaxhuese e sektorit privat është pakrahasueshme me fuqinë e sektorit publik dhe ky është një prej qëllimeve më kryesore të privatizimeve", tha Kryeministri.

Konsulenti

IFC, 1.3 milionë dollarë

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) ka qenë konsulenti i përzgjedhur për këtë proces dhe prej më shumë se një viti e gjysmë ka bërë vlerësimin e aseteve me anë të kompanive të specializuara në këtë fushë, duke nxjerrë në dritë vlerën e tyre, që bën të mundur përcaktimin e çmimit dysheme. Nga ana tjetër, IFC-ja do të marrë rreth 1.3 milionë dollarë, në rast të një tenderi të suksesshëm. Tashmë, më datë 16 qershor, Ministria e Ekonomisë do t‘u dërgojë ftesën 4 kompanive që vazhdojnë garën e privatizimit.

ERE:

Jo vlerësim teknik

Enti Rregullator i Energjisë propozon heqjen e vlerësimit teknik nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Kreu i saj, Bujar Nepravishta, në një letër dërguar ministrit Ruli shkruan se, "Përcaktimi i kritereve minimale të performancës teknike si dhe mënyrës së vlerësimit të kriterit teknik nga KVO-ja, jo vetëm që do të krijojë pasiguri për konkurruesit, por do t‘i japë këtij komisioni atribute rregullimi, funksion ky që e mban vetëm ERE". Sipas ERE-s, çmimi i ofruar në tender, shërben si kriteri i vetëm për vlerësimin përfundimtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›