E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktisja e urës së Kadaresë dhe legjendat e thesareve nën të

Ura me tri harqe është lënë në mëshirë të fatit dhe të vetmit që vazhdojnë të kujdesen për të janë banorët e zonës

ELBASAN- Ndërsa ndjek rrugën nacionale Elbasan-Librazhd nuk ka se si të mos të të bëjë përshtypje Ura me tri harqe, që nëse ke lexuar veprën e Kadaresë do të kuptosh që ka shumë lidhje me legjendën madje vetë banorët e zonës e konfirmojnë se kjo urë është ndërtuar me kurban. Teksa ndalesh në Mirakë ku edhe rruga e vjetër Egnatia ndalet për shkak të shkëmbit te madh të Malit të quajtur Guri i Borjes për të kaluar në anën tjetër të Lumit Shkumbin. Sipas historianëve, ura është ndërtuar aty nga viti 1714 por, sipas banorëve që kanë qenë aty brez pas brezi, ura është ndërtuar në themele të vjetra. Kur afrohesh të bën përshtypje se si prurjet e rrëmbyera të Lumit Shkumbin nuk e kanë lëkundur por vetëm njerëzit kanë arritur t’i heqin pllakën shekullore ndërsa gurët e shtrimit po humbin dalëngadalë.

Banorët e Mirakës janë bërë vetë roje të kësaj ure e cila është e vetmja lidhje për rreth 10 familje që jetojnë në anën tjetër të lumit dhe po kështu i shërben edhe rreth 300 banorëve të këtij fshati për të arritur tokat dhe të mbjellat në krahun tjetër. Të kalosh në një urë disa shekullore është edhe një emocion i veçantë pasi edhe pse është kaq e vjetër, ajo të jep përshtypjen se është edhe më e fortë se ato që ndërtohen sot. Një banor i fshatit teksa kalon urën tregon se nuk ka më të sigurt se kjo urë. Ai ndalet në harkun e madh të urës dhe aty në anën e saj tregon një rrënjë fiku. “Unë e mbaj mend që të vogël këtë fik që për ne tregon se ura është bërë me kurban. Brez pas brezi gjyshërit më kanë treguar se kjo urë ka një legjendë të ngjashme me atë të Kalasë së Rozafës. Më kanë treguar se kjo rrënjë fiku që vazhdon të jetë aty në shekuj është edhe shenjë e kurbanit. Ne e besojmë këtë dhe besojmë gjithashtu se kjo urë nuk do të shembet kurrë”,- thotë një prej banorëve. Në fakt dëmtimet e urës janë të pakta por tregojnë se nëse do të vazhdojë të jetë në mëshirë të fatit, Ura e fundit me harqe akoma në funksion mund të shkatërrohet shumë shpejt. Rreth 3 metra në shtratin e urës gurët e lumit me të cilat është shtruar janë shkëputur dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar ndërsa parmakët edhe pse në kohën e regjimit komunist janë ringritur, sërish kanë pësuar dëmtime.

Ajo që të bën më shumë përshtypje është mungesa e pllakës treguese. Në një pjesë të urës ekziston vendi për pllakën i lënë bosh duke treguar edhe një herë se vlerat historike sa vijnë e humbasin. Rrapush Terziu tregon se Urën e vizitojnë mjaft të huajt dhe pyesin për të. “Këtu kanë ardhur shumë të huaj por shpesh nga që nuk dinë shqip dhe ne nuk dimë gjuhë të huaj nuk mund të flasim dot. Ata vijnë këtu e fotografojnë e shikojnë nga afër dhe madje na pyesin por ne nuk i marrim vesh. Në kohën e komunizmit vinin edhe arkeologë dhe madje shteti atëherë kishte vendosur një roje që e mirëmbante dhe e ruante. Nuk kishte njeri që ta prekte urën pasi atëherë vlerësohej ndërsa tani është harruar. Ne e ruajmë pasi është e vetmja urë që kemi për të kaluar në anën tjetër ku kemi tokat dhe gjithçka. Kjo urë madje ka pasur edhe kambanë që njoftonte edhe kur era ishte shumë e fortë për të mos kaluar pasi ishte me rrezik. Brez pas brezi ne na kanë mësuar ta ruajmë urën pasi ajo do të vazhdojë të jetë për brezat e tjerë. Veç legjendës së urës këtu ka gojëdhëna edhe për thesare të fshehura shekuj më parë. Prej pak kohësh shumë afër urës është gërmuar dhe unë e di pse. Njerëzit mendojnë se këtu ka thesare ende të pazbuluara”,- tregon Terziu.

Legjenda flet për një karvan me udhëtarë që nga frika e grabitjes fshehu pasurinë e tij nën Gurin e Borjes

Banorët gërmojnë në kërkim të thesarit të humbur

Terziu tregon se kjo urë për ta është jetike pasi fshati dihet që mbahet me bujqësinë. “Ne si fshat kemi vendosur që të gjithë ta ruajmë por shpesh fëmijët vijnë këtu e heqin gurët. Pllakën nuk e ka vjedhur askush nga fshati pasi për ne është e shenjtë dhe nuk preket por dikush është ndalur dhe ndoshta e ka vjedhur për ta shitur. E gjithë kjo zonë është e mbushur me legjenda kështu flitet se në Gurin e Borjes, mal shumë afër Mirakës fshihet një thesar. Shumë vetë e kanë kërkuar por askush nuk e ka gjetur pasi thonë se ruhet me amanet. Nga gojëdhënat që kemi dëgjuar thuhet se një karvan që kalonte nëpërmjet rrugës së vjetër ka marrë vesh se i kishin bërë një pritë për t’i plaçkitur dhe i pasuri ka vendosur ta varrosë në këtë shkëmb pasurinë e tij duke lënë si amanet që askush të mos e zbulonte. Në majën e shkëmbit madje janë gjetur edhe pjesë që tregojnë se atje kaekzistuar një kishë e vjetër. Në kemi vendosur të ruajmë por nuk mund të rregullojmë gurët apo edhe anët e urës pasi këto duhet t’i bëjnë specialistët. Prej vitesh këtu nuk është dukur njeri sikur kjo urë të mos kishte vlera. Ky objekt mund të dëmtohet edhe ngas kafshët apo mjetet që kalojnë këtu por ne nuk kemi asnjë urë tjetër dhe duhet të kalojmë këtu. Nëse ndërtohet një urë tjetër atëherë po, jemi gati të mos shkelim këtu”,- thotë Terziu.

-----------------------------------------------------Nga shekulli i dytë Para Krishtit e deri në shekullin e 6-të, romakët ndërtuan ura aty ku nuk kalonin dot malin

Urat e ndërtuara nga romakët

Urat në këtë zonë i përkasin periudhës antike të shekullit të II p.e.s deri në shekullin VI. Ekzistenca e shumë rrugëve në rajonin e Elbasanit gjatë kësaj periudhe kushtëzoi dhe ndërtimin e mjaft urave. Romakët nga shekulli II p.e.s dhe në dy shekujt e parë të perandorisë, në kohën e perandorëve August dhe Adrian ndërtuan ura druri me shtresë dërrasash, mbi këmbë me mur guri, ura guri me një qemer dhe ura guri me shumë qemerë. Urat mesjetare e shekullit XV-XIX u ndërtuan në disa krahina. Vlen të përmendet ura mbi Gurrën e Labinotit, në fshatin Labinot Fushë, gjatë rrugës Elbasan-Ohër. Via Egnatia deri në Mirakë vazhdon në gjurmët e rrugës automobilistike sot por për shkak se Shkëmbi i Mirakës ishte shumë i vështirë për t’u kapërcyer , aty afër u ndërtua një urë romake, afër urës së Haxhi Beqarit. Kjo urë është ndërtuar në shekullin e XVIII. Ura e Kamarës, pranë fshatit Mirakë, e cila është urë asimetrike me tre qemerë. Kjo urë ka gjatësi 40 metër dhe gjerësi 3.5 m. Qemeri i madh është me hapësirë 23 m dhe i djathti në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre. Qemeri i majtë është në formë çerek rrethi. Është rindërtuar në vitin 1715 dhe sipas mbishkrimit në një pllakë guri, të gjetur në kamaren e urës shkruhej: “Shpirti i qoftë gëzuar Ahmetit nga Elbasani. Kush kalon këtej të japë një lutje mirëbërësit të urës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›