E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshatrat rrëzë Gramozit nën tmerrin e shpërthimit të bunkerëve

29/03/2011  Shtëpitë kanë filluar të plasariten, banorët ngrenë zërin. Deri më tani asnjë të ndaluar

Kolonjë – Duke filluar që nga dita e parë e pranverës dhe deri më sot, gjithë fshatrat që gjenden poshtë këmbëve të malit Gramoz, duke filluar nga fshati Kreshovë e deri në kufi me fshatrat Kozel dhe Nikolicë, të cilët gjenden në kufi me rrethin e Korçës po përballen me tmerrin e shpërthimit të bunkerëve. Jeta e njerëzve, e bagëtive dhe e udhëtarëve që kalojnë nga një rreth në rrethin tjetër është më e rrezikuar se kurrë ndonjëherë tjetër. Për vite të tëra me radhë, bunkerët që gjendeshin në malin e Gramozit u shpërthyen me dinamit, ose me lëndë plasëse të krijuara në mënyrë artizanale. Ndërkohë mbetën të pashpërthyera ato qendra zjarri, të cilat ose gjenden në afërsi të qendrave të banuara, ose pranë rrugëve që lidhin një fshat me një fshat tjetër apo një zonë me një zonë tjetër, sepse shpërthyesit e bunkerëve nuk kanë guxim të marrin përsipër shpërbërjen e këtyre bunkerëve, pasi në të njëjtën kohë mund të përballeshin dhe me pasoja tragjike, me vdekje njerëzish apo me ngordhje bagëtish, çka do t’u kushtonte shumë.

Shpërthimi i bunkerëve

Bunkerët pranë zonave të banuara mbetën të paprishur për disa vite me radhë, ndërsa tashmë njerëz hallexhinj, të mbetur në kushte të vështira ekonomike, kanë marrë guximin të nxjerrin hekur edhe nga këta bunkerë që rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve. Duke qenë të ndërgjegjshëm se për çfarë janë duke bërë dhe për të mos u kapur në flagrancë nga Policia Kufitare, njerëz anonim (pasi ende nuk dihet se nga cilët persona është marrë kjo nismë), shpërthimi i bunkerëve realizohet kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe për gjatë gjithë natës. Megjithatë, duke qenë se shpërthimet kryhen në afërsi të qendrave të banuara, rrezja e shpërthimit ka nisur të tronditë themelet e shtëpive, të krijojnë plasaritje në mure dhe tavane, ndërsa ekzistojnë të gjitha mundësitë që banesat e vjetra një mëngjes të gjenden të shembura, duke u kthyer në një varr masiv për të gjithë anëtarët e familjes. Megjithatë, e keqja nuk përfundon këtu, sepse udhët që përshkojnë zonën nën këmbët e Gramozit janë vazhdimisht të populluara nga njerëz, të cilët ose kryejnë punime bujqësore, ose kthen në fshat me bagëtitë e tyre, ose për arsye të ndryshme u takon të gjenden në rrugë. Rreziku për jetën e njerëzve tashmë është më evident se kurrë ndonjëherë tjetër. Veç sa më sipër, të tmerruar kanë filluar të mbeten edhe fëmijët, të cilët dhe në orët më të vona të natës, janë të detyruar të përballen me shpërthime tepër të fuqishme, aq sa një shtëpi lëviz nga vendi njësoj siç do të ndodhte me një tërmet shumëballësh. Banorët e këtyre zonave që gjenden brenda shtrirjes së harkut Kreshovë- Nikolicë kanë filluar të ngrenë zërin e tyre në organet përkatëse, por deri më tani nga ankesat e tyre nuk ka pasur asnjë rezultat pozitiv. Dy vjet më parë një lopë mbeti e ngordhur në vend, pasi një copë hekuri e përshkoi trupin e saj njësoj sikur të ishte prej sapuni. Të gjendur në këto kushte, banorët e fshatrave të përmendura më sipër, tashmë kanë filluar të jetojnë me ankthin e pritjes së një aksidenti tragjik, që do të thotë vdekje e njerëzve të tyre më të afërt. Po kaq e rrezikuar mbetet edhe vetë jeta e personave që kanë marrë përsipër shpërthimin e bunkerëve, pasi deri më sot, nëse i vije dinamitin një bunkeri, ekzistonin të gjitha mundësitë të fshiheshe në brendësi të një bunkeri tjetër, ndërsa tashmë kjo mundësi nuk ekziston më, sepse bunkerët e mbetur janë larg nga njëri-tjetri. Shpërthyesve të bunkerëve u duhet të vendosin një fitil të gjatë, për të pasur kohë të largohen, ndërsa nuk mund të parashikosh asgjë se kush mund të mbetet i rrezikuar nga këto lloj shpërthimesh.

Deputetët e PD-së pjesëmarrës në ceremoni

Përkujtohet 14-vjetori i Tragjedisë së Otrantos

VLORE- Kanë kaluar 14 vjet nga ajo që mund të quhet edhe një nga tragjeditë më të mëdha të ndodhura në vend, Tragjedia e Otrantos, e cila ka shënuar një numër të lartë viktimash, mes të cilëve fëmijë, gra, të rinj e burra. Pikërisht kjo tragjedi është përkujtuar në Vlorë, në 14-vjetorin e saj. Familjarë të viktimave kanë hedhur buqeta me lule në det, në shenjë përkujtimi të familjarëve që kanë humbur në tragjedinë e 14 viteve më parë. Ata vijojnë të kërkojnë drejtësinë e munguar në këto 14 vjet, ndërkohë që apeli i është drejtuar shtetit shqiptar, me qëllim të ndikojë me qëllim dëmshpërblimin e familjeve të këtyre viktimave dhe vënien në vend të drejtësisë. Në homazhet e 14-vjetorit të Tragjedisë së Otrantos, kanë shoqëruar familjarët edhe dy deputetët e PD-së, Ardian Kollozi e Kreshnik Cipi, si dhe drejtues të tjerë të PD-së në Vlorë, të cilët krahas ngushëllimit kanë deklaruar se do të jenë një suport dhe mbështetje e fortë për këta familjarë. Edhe deputeti Ardian Kollozi është shprehur se do t’i qëndrojë pas kësaj çështje deri sa të marrë një zgjidhje përfundimtare. Në 57 viktimat e konfirmuara dhe 24 të humburit ende sorollatet çështja në instanca të ndryshme. Duke kaluar nga gjyqësori italian aktualisht në Gjykatën e Apelit, madje tentativat janë që çështja e Otrantos të çohet deri në gjykatën e Hagës. Dh. Spiro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›