Fshatrat turistikë, gjobë 100% kush shet banesën
Pa kaluar ende një vit, kur u krijua nga e para si forma më e mirë e mundshme, ligji "Për turizmin" është rikthyer sërish në Kuvend, me synim ndryshimin e disa neneve që nuk përputheshin me njëri-tjetrin. I parashikuar të diskutohej dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, projektligji me ndryshime është shtyrë për miratim për ditën e sotme. Konkretisht, Ministria e Turizmit ka paraqitur disa propozime që lidhen me mbarëvajtjen e operatorëve turistikë, mënyrën e licencimin dhe formën e shërbimit nga entet lokale. Thelbi kryesor i ndryshimeve të propozuara nga ministri Pango lidhet me disiplinimin e fshatrave turistikë, që kanë shkelur rregullat parimore të funksionimit të tyre në kuadër të zhvillimit të sektorit të turizmit. Kështu, në nenin 21 të ligjit, subjekteve i ndalohet të shitet objekti i ndërtuar brenda një fshati turistik, në rast të kundërt gjobitet me 100 për qind të vlerës të përfituar nga shitja. Sipas ministrit Ylli Pango, ndryshimet në ligj bëhen për të parandaluar krijimin e një situate tjetër kaotike, sikundër ka ndodhur në plazhin e Golemit, mes Durrësit dhe Kavajës, e cila ka funksionuar "ndërto dhe shit". Një tjetër argument lidhet me faktin se po vazhdohet me miratimin e ndërtimeve si komplekse turistike apo rezidenca turistike në zonat turistike, në kundërshtim me kriteret e vendosura në aktet ligjore përkatëse. Në fakt, me ligjin e miratuar në muajin maj të vitit të kaluar, ministrit të Turizmit iu hoqën disa kompetenca që lidhen me lejet për fshatrat turistikë të rinj, duke ia kaluar institucioneve të linjës që merren me planet rregulluese. Po ashtu, në relacionin përkatës thuhet se ndryshimet në ligj po bëhen për faktin se shumë nene përplasen me njëri-tjetrin. Ky fenomen u krijua pas kundërshtimeve të ministrit, i cili eliminoi një nen që detyrimisht lidhej me zbatimin e neneve të tjera. Problem për Ministrinë e Turizmit do të jetë zbatimi i nenit 21, që ndëshkon firmat private për prishjen e kontratës me shtetin për fshatrat turistikë. Kjo, për faktin se MTKRS-ja nuk është kompetente për mbarëvajtjen e fshatrave turistikë, në një kohë ku në ligj mungojnë standardet.