E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderët, ministrave u hiqet e drejta e firmës

Del në dritë projektligji për zbatimin e buxhetit të shtetit, i emërtuar ndryshe "Për menaxhimin e sistemit buxhetor". Ndryshe nga ligji aktual, i riu parashikon sanksione të rënda për zyrtarët që vonojnë qëllimisht shlyerjen e pagesave për firmat private fituese në tenderë. Ndryshim tjetër thelbësor lidhet me kompetencat e ministrave, të cilat janë reduktuar. Kështu, ata nuk kanë më të drejtë të firmosin për procedurat e prokurimit publik. Kjo e drejtë u kalohet sekretarëve të përgjithshëm në ministri. Po ashtu, ministrat nuk kanë më të drejtë të përfshihen në procesin e hartimit të buxhetit për institucionin që drejtojnë, por do të jenë persona të autorizuar posaçërisht për përgatitjen e dokumenteve në paraqitjen e projekteve që do të financohen nga buxheti. Po këta persona të autorizuar (siç thuhet në ligj: nëpunësit e autorizuar), do të raportojnë çdo tre muaj në Ministrinë e Financave për ecurinë e investimeve, në mënyrë që institucioni përgjegjës për zbatimin e buxhetit të ketë njohuritë reale lidhur me shpenzimet që kryhen. Projektligji i prezantuar dje për herë të parë në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe financat parashikon sanksione të ashpra deri në shtatë paga mujore për zyrtarët që shkelin rregulloren në mbarëvajtjen e shpenzimeve. Tw pranishëm nw komision nga Ministria e Financave ishin zv/ministri Florjon Mima dhe drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, të cilët e kanë konsideruar ligjin si më të mirin ndër standardet evropiane.

Ligji

Paralelisht me uljen e kompetencave të ministrave lidhur me zbatimin e buxhetit, forcohen ato të ministrit të Financave, zyrtari përgjegjës në zbatimin e procedurave buxhetore. Kështu, sikurse funksionon Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Drejtoria e Auditit të Brendshëm, ministri i Financave, me ligjin e ri ka krijuar një strukturë të re për monitorimin e buxhetit. Strukturat në varësi të ministrit Bode do të quhen Inspektimi Financiar dhe do të ngrihen në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, në çdo ndërmarrje publike apo përfitues të fondeve nga buxheti. Edhe pse e ngjashme me funksionet e KLSH-së, kjo strukturë nuk ka të drejtë të pengojë aktivitetin e institucionit të pavarur. Tashmë me ligjin e ri forcohen rregullat për kalimin e fondeve të buxhetit, në rast se projekti nuk është i shoqëruar me të dhënat e detajuara, me impaktin që jep, efikasitetin etj.

Gjobat

Të përcaktuara në nenin 72 të projektligjit "Për menaxhimin e sistemit buxhetor", sanksionet e parashikuara variojnë nga tri paga deri në shtatë paga mujore. Kështu, nëse një nëpunës përdor paratë e buxhetit të shtetit për qëllime të pamiratuara, dënohen me gjobë 5-7 paga mujore, kurse kur një drejtues institucioni merr përsipër angazhime, pa pasur fondet në dispozicion, dënohet me 7 paga mujore. Gjobë të rëndë do të vendoset edhe për rastet kur shpenzimet e kalojnë fondin limit të lejuar, ose kur dega e thesarit miraton fatura që e kanë kaluar afatin 30-ditor.

Elementet e buxhetit

60% limiti që nuk duhet kaluar për borxhin publik ndaj PBB-së

20% limiti për shërbimin e borxhit, si mesatare e të ardhurave në 3 vitet e fundit

15 nëntori, afati i fundit për rishpërndarjen e fondeve buxhetore, për institucionet lokale e qendrore

1 tetori, afati i fundit për të kryer tenderë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›