E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria bën gati gjykatat administrative

Gjykatat administrative do të fillojnë të funksionojnë në tetor të këtij viti. Qeveria premton se do t‘i japë fund njëherë e përgjithmonë ngërçit të hershëm që mban të acaruara marrëdhëniet e saj me biznesin, atë që ka të bëjë me shqyrtimin në kohë të shkurtër dhe në mënyrë të paanshme të konflikteve mes shtetit dhe subjekteve tregtare. "Projektligji për gjykatat administrative do të jetë gati në mes të qershorit dhe menjëherë më pas do të hidhet për diskutim me grupet e interesit", thotë Eduart Halimi, zëvendësministri i Drejtësisë. Sipas tij, këto gjykata do të jenë në dy nivele, shkalla e parë dhe apeli. Në projektligjin përkatës do të sanksionohet që gjykata nuk mund ta zgjasë shqyrtimin e një përplasjeje mes shtetit dhe biznesit për më shumë se një muaj që nga data e ngritjes së padisë. I njëjti afat kohor do të lihet edhe për shkallën e dytë të gjykimit administrativ, që është Gjykata Administrative e Apelit. Në total, një çështje ku shteti padit biznesin, apo e anasjella, nuk do të zgjasë më shumë se 2 muaj që nga ngritja e padisë. "Por ne presim që shqyrtimi i çështjeve të jetë edhe më i shpejtë se kaq, ndoshta për një javë, por edhe për një ditë. Kjo, pasi këto gjykata do të shqyrtojnë vetëm çështje të karakterit administrativ dhe tregtar", thotë Halimi. Ministria e Drejtësisë planifikon që gjykatat administrative të gjykojnë edhe çështje të karakterit tregtar, që kanë të bëjnë me konflikte mes bizneseve, por edhe ato midis ortakëve të një biznesi. Gjykatësit e gjykatave administrative do të vijnë nga sistemi aktual gjyqësor dhe pasi të emërohen nga KLD-ja do t‘i nënshtrohen një procesi të vazhdueshëm trajnimi për shqyrtimin e çështjeve me karakter ekonomik.

Kërkesa e biznesit për ndërtimin e gjykatave administrative lindi vitin e kaluar, kur qeveria prezantoi në publik draftin e shumëpërfolur të procedurave tatimore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›