E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i tenderëve, gjobë dhe 1 vit burg Nikolin Jakës

Korrupsioni me tenderat e rrugëve u ka kushtuar 8 vjet heqje lirie pesë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve dhe tre bashkëpunëtorëve të tyre. Gjithsesi, vendimi i gjykatës nuk duket dhe aq i rëndë, po të merret parasysh se Nikolin Jakës i mbeten vetëm 20 ditë dënim për të vuajtur, ndërsa Xhevahir Muçogllava lirohet plotësisht. I vetmi që do të qëndrojë pak më gjatë në qeli do të jetë ish-drejtori i Rrugëve, Ilir Berzani. Nëse nuk arrin të ndryshojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit dhe nëse nuk do të përfitojë ndonjë ulje dënimi për sjellje të mirë, Berzanit do t‘i duhet të qëndrojë në burg edhe për një vit.

Dje, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka dhënë vendimin përfundimtar për Nikolin Jakën, ish-zëvendësministër i Transporteve, Ilirjan Berzanin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, Arjan Shetin, ish-drejtori i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, Bashkim Kamberin, ish-drejtor i Prokurimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Xhevahir Muçogllavën, ish-drejtor në Drejtorinë e Koordinimit në Drejtorinë e Rrugëve, Isuf Ukperajn, biznesmen dhe Skënder Bokçiun, biznesmen. Ata janë shpallur fajtorë për akuzat e "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "Shpërdorimit të detyrës", "Korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike". Gjykata ka vendosur t‘i dënojë ata me një total prej rreth 8 vitesh burg, ku dënimin më të lartë e ka marrë Berzani me 2 vjet heqje lirie dhe 2.6 milionë lekë gjobë. Pas tij renditej Arjan Sheti me 1 vit e 4 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë e më tej Jaka, Kamberi dhe Ukperaj me nga 1 vit e 20 ditë burg. I fundit që është dënuar ka qenë Muçogllava, i cili ndodhej në arrest shtëpie dhe me dënimin 1 vit burg, do të rifitojë lirinë brenda pak ditës, pasi e ka kryer tashmë dënimin. Dënimet e gjykatës ishin më të larta, por të shtatë të pandehurit kanë përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.

Megjithëse të gjithë të akuzuarit për këtë çështje i kishin mohuar akuzat dhe u përpoqën të sqaronin gjatë mbrojtjes së tyre se nuk kishin kryer asnjë veprim të paligjshëm gjatë tenderimit të disa prej akseve kryesore rrugore në vend, gjykata duket se është bindur nga provat e sjella nga prokuroria. Përgjimi i bisedave telefonike dhe zbardhja e procedurave të ndjekura për tenderat e diskutuar, kanë bërë që gjykata të vendosë për fajësinë e tyre. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve u arrestuan më 17 shtator të vitit të kaluar gjatë operacionit të koduar "Duart e pastra".

Dënimet e dhëna

Nikolin Jaka, ish-zëvendësministër i Transporteve, 1 vit e 20 ditë burg dhe 500 mijë lekë gjobë;

Ilirjan Berzani, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, 2 vjet burg dhe 2.6 milionë lekë gjobë;

Arjan Sheti, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, 1 vit e 4 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë;

Bashkim Kamberi, ish-drejtor i Prokurimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, 1 vit e 20 ditë burg;

Xhevahir Muçogllave, ish-drejtor në Drejtorinë e Koordinimit në Drejtorinë e Rrugëve, 1 vit burg;

Isuf Ukperaj, biznesmen, 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë;

Skënder Bokçiu, biznesmen, 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë.

Nikolin Jakës i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 3 vjet, ndërsa Ilirjan Berzanit, Arjan Shetit, Bashkim Kamberit dhe Xhevahir Muçogllavës, u është hequr kjo e drejtë për 6 vjet



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›