Tatimet, aksion për kontributet shoqërore
Grupet e Task-Forcës pranë policisë tatimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kanë nisur prej kohësh një aksion për verifikimin e numrit të punonjësve te subjektet private. Aksioni i fundit është zhvilluar në fundjavë te bizneset që shtrihen përgjatë Rrugës së Elbasanit deri në Bërzhitë. Aksioni konsistonte në regjistrimin e subjekteve në organin tatimor dhe verifikimin e numrit të punonjësve të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Mësohet se janë kontrolluar 50 subjekte, nga të cilat 23 subjekte u penalizuan me gjoba për mosdeklarim të 128 punonjësve në organin tatimor me vlerë 10 mijë lekë (të reja) për secilin punonjës të padeklaruar, ose me një shumë totale prej 1 280 000 lekë. Po ashtu, u vendos një gjobë 1 milion lekë për një subjekt, i cili pengoi policinë tatimore në ushtrimin e kontrollit, si dhe u propozuan për kalim në biznes të madh, për 5 subjekte, të cilat plotësonin kushtet si biznese me TVSH.