E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontabilistët,tani me status si të noterëve

 

Kontabilistët tani do të jenë me status si noterët. Qeveria ka miratuar dje projektvendimin për organizimin dhe funksionimin e bordit të mbikëqyrjes publike të ekspertëve kontabël të regjistruar. “Ndaj ekspertëve kontabël duhet të adaptojmë të njëjtin ligj dhe qëndrim që adaptojmë ndaj noterëve. Këto të dy institucione janë të pazëvendësueshme për shtetin dhe transparenca e veprimtarisë së tyre është kusht themelor për luftën kundër korrupsionit, evazionit, informalitetit etj. Ndaj e konsideroj të domosdoshme që të bëhet një trajtim ligjor dhe të përcaktohen sanksionet më të rrepta ndaj çdo falsifikimi që eksperti i lejon vetes që të bëjë”, është shprehur dhe kreu i qeverisë Berisha. Në bazë të këtij projektvendimi do të ngrihet bordi i mbikëqyrjes publike, si organ përgjegjës për mbikëqyrjen e veprimtarisë së ekspertëve kontabël të regjistruar, shoqërive audituese, si dhe organizmave profesionalë të kontabilistit të miratuar. Bordi organizohet si një organ kolegjial, i përbërë nga 7 anëtarë të emërtuar nga Ministri i Financave, me mandat 4 vjeçar dhe të drejtë rimandatimi, për jo më shumë se 2 herë radhazi. Në projektvendim thuhet se emërimi i kandidatëve kryhet nga Ministri i Financave. Në rastet e shkarkimit, dorëheqjes apo vdekjes, së një prej anëtarëve të bordit, Ministri i Financave cakton zëvendësuesin nëpërmjet propozimit të paraqitur nga institucioni propozues i anëtarit të zëvendësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›