E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshehën plagosjen e vajzës, nën hetim 4 mjekë

urime zyrtare nga dikasteri i rendit bëjnë me dije se, ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj tre bluzave të bardha, të cilët akuzohen për "shpërdorim detyre", "moskallëzim krimi" dhe "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës 

PUKE-Një romancë e fshehur dashurie mes dy të rinjve i ka kushtuar jo pak një mjeku të spitalit të Pukës si dhe një kolegu të tij e dy infermiereve në spitalin e qytetit të Fushë-Arrëzit. Burime zyrtare nga dikasteri i rendit bëjnë me dije se, ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj tre bluzave të bardha, të cilët akuzohen për "shpërdorim detyre", "moskallëzim krimi" dhe "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Gjithçka ka marrë shkas pas një ngjarjeje të ndodhur katër ditë më parë në qytetin e Fushë-Arrëzit. Mësohet se pasditen e së hënës, rreth orës 16:00 është plagosur në këmbë 17-vjeçarja K. Brahimi. Adoleshentja ishte në shoqërinë e të dashurit të saj, Erjon Gjonaj, me të cilin ishin lidhur prej disa kohësh. Sipas burimeve të mësipërme, i riu kishte me vete dhe një armë zjarri. Ai ka bërë shkrepje të pavullnetshme, duke plagosur aksidentalisht vajzën e tij të zemrës. 17-vjeçarja e shoqëruar nga prindërit e saj është paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin e Fushë-Arrëzit. Babai i vajzës, për të fshehur lidhjen e së bijës me 18-vjeçarin Gjonaj i ka thënë mjekut dhe infermiereve të turnit se ajo ishte plagosur tek këmba metalike e krevatit. Por, versioni i dhënë nga kryefamiljari është rrëzuar në çast, pasi plumbi kishte mbetur në këmbën e së bijës së tij. I ndodhur para një situate të tillë, babai i adoleshentes u ka kërkuar bluzave të bardha që të mos denonconin ngjarjen në polici. Sipas burimeve policore, familja Brahimi ishte kundër lidhjes së vajzës së tyre me Erjon Gjonajn. Pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore, pacientja është dërguar në spitalin e Pukës për ndihmë mjekësore më të specializuar. Mjeku dhe infermieret nuk kanë denoncuar ngjarjen. Të njëjtin veprim ka bërë dhe mjeku kirurg i Pukës, Musa Velaj. Pas sinjalizimit për plagosjen e adoleshentes, efektivat blu kanë mundur të zbardhin plotësisht ngjarjen. Gjatë marrjes në pyetje, K. Brahimi ka deklaruar se u vetëplagos me pistoletë nga pakujdesia.
Ndërsa, 52-vjeçari Velaj nuk ka pranuar akuzat. "Nuk ishte detyra ime të njoftoja policinë, pasi vajza e plagosur në këmbë është mjekuar fillimisht në spitalin e Fushë- Arrëzit. Sipas rregullave të vendosura, policia duhej të njoftohej nga bluzat e bardha të këtij spitali", - ka deklaruar mjeku kirurg.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›