"Fshehja", ekzekutohet masa për Brunela Trebickën
Policia ekzekuton masën e arrestit për bashkëshorten e Kosta Trebickës. Dy ditë më parë, rreth orës 15:00, nga seksioni kundër korrupsionit u ekzekutua vendimi nr. 868, datë 24.10.2009, i Gjykatës së Rrethit Tiranë, për dhënien e masës së sigurisë "arrest shtëpie", për shtetasen Brunela Skënder Trebicka, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim të lartë, për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës. Madje, policia deklaroi se nga verifikimet e kryera deri tani dyshohet se ajo ka qenë "shefja" e grupit të zbuluar të ekspertëve kontabël, të cilët kanë mashtruar tatimet me rimbursimet e TVSH-së, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 300 mijë eurosh. Burimet policore shpjeguan se nga hetimet e kryera deri tani dyshohet se Brunela Trebicka është njëra nga drejtueset e këtij aktiviteti kriminal, ku ishte ngritur një firmë fantazmë, së cilës i faturonin detyrimet tatimore të disa firmave të mëdha, që ushtrojnë aktivitetin në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Fierit. Sipas akuzës, këta ekspertë kontabël kanë abuzuar me fondet, duke krijuar një firmë, e cila nuk kishte asnjë lloj aktiviteti, por me letra funksiononte normal. Firma me të cilën merreshin paratë nga buxheti i shtetit ishte me seli në Elbasan. Emri i shoqërisë është "Klodi" dhe funksiononte vetëm me letra. Drejtuesit e shoqërisë pa aktivitet plotësonin formularë dhe i paraqisnin në zyrat e tatim-taksave për të marrë vlerën e shtuar mbi TVSH-në. Ndërkohë, asnjë prej të akuzuarve nuk e ka pranuar akuzën. Gjykata kishte marrë masën e arrestit shtëpiak për bashkëshorten e Kosta Trebickës dy ditë pas dhënies së të njëjtës masë për personat e tjerë. Më parë, oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës ekzekutuan vendimet e gjykatës për katër ekspertët kontabël, të cilët dyshohet se kanë dubluar bilance të firmave private, duke i shkaktuar shtetit dëmin prej 1.5 miliardë lekësh të vjetra. Burime nga prokuroria thanë gjithashtu se gjatë operacionit "Fshehja", është ekzekutuar masa e sigurisë "detyrim paraqitjeje" për ekonomistin Shkëlqim Sako dhe masat "arrest shtëpie" për ekonomistet Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla e Nevila Bami. Ndërsa një person tjetër i dyshuar është njohur me masën e sigurisë në doganën e Qafë-Thanës, në kufirin e Shqipërisë me Maqedoninë në qytetin e Pogradecit.