Nishani: Do të ndryshojmë ligjin për avokatët
Ende pa u mbushur një vit nga koha kur Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për avokatët, Ministria e Drejtësisë po diskuton sërish për ndërhyrje në këtë ligj për shkak të mosefikasitetit në rastet kur avokatët thyejnë etikën dhe bëhen shkak i zvarritjeve të proceseve gjyqësore. Duke u përpjekur të gjejnë një model se si mund të zgjidhet situata për rastet kur avokatët mungojnë në gjykatë, opsioni më i mirë që po shqyrtohet është ai i pranisë në gjykata, i dy grupeve avokatësh të gatshëm. Njëri është ai i atyre që njihen si "avokatët kryesisht" nga shteti, ndërsa grupi tjetër ai i avokatëve të përfshirë në një listë të posaçme nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. "Dhoma e Avokatisë ka ndërhyrë, ka dhënë madje disa masa paralajmëruese dhe vërejtje për avokatë të veçantë, të cilët nuk respektojnë procedurat e hetimit gjyqësor, por ajo që unë mendoj, nisur edhe nga konsultimet që kam pasur qoftë edhe me përfaqësuesit drejtues të Dhomës së Avokatisë, qoftë me drejtues të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit, ndoshta do të jetë e domosdoshme një ndërhyrje në legjislacion për ta ngushtuar maksimalisht hapësirën procedurale që mund të përdoret për abuzim", tha dje për TCH, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ai shton gjithashtu se për këto ndryshime do të merret qëndrimi i të gjithë aktorëve të përfshirë në proces. "Nëse arrijmë në një konkluzion ku në parim dhe themel të respektohet tërësisht ofrimi dhe sigurimi i së drejtës së mbrojtjes së personit të pandehur, atëherë procedura duhet të jetë shumë më strikte dhe përcaktuese, në mënyrë që të mos ketë hapësirë abuzuese nga ana e avokatit gjatë hetimit gjyqësor për të shtyrë procesin gjyqësor apo seancën, por trupi gjykues të ketë të gjithë të drejtën dhe hapësirën ligjore për ta vazhduar procesin dhe seancën pa ndërprerje", përfundoi prononcimin Nishani. Në dhjetor të vitit të kaluar u bënë një sërë ndryshimesh në ligjin e avokatëve, por sërish shtyrjet e gjyqeve mbeten një problem për togat e zeza, madje kjo çështje u bë temë edhe në një nga mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, prej të cilit u dha apeli se procese shumë të rëndësishme për drejtësinë po zvarriten pa fund për shkak të avokateve.