E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshehtësitë e të mëdhenjve

Drejtojnë shtete, janë burra shteti, por janë edhe njerëz të zakonshëm. Ndërsa pjesën e parë e kemi parë dukshëm, pjesën e dytë janë përpjekur gjithnjë ta mbajnë të fshehur.

Por kjo ka ndodhur deri në një moment, kur mediet dhe njerëz të afërt kanë zbuluar fshehtësitë e tyre, të cilat ngjallin më shumë se asgjë kureshtjen e publikut. Ia nisim me më të vjetrit. Kush e dinte se presidenti Theodore Roosevelt, "njeriu i brishtë", ishte në gjendje të vriste një luan mali vetëm me një thikë. Ndërkohë një prej pasardhësve të tij, Bill Clintonit, nuk i duhet të luftojë me luanë mali, por i duhet të përballet me më shumë se një alergji. Ai ka alergji nga bifteku, qumështi, macet e poleni.

Është ironike ajo që ka ndodhur me Angela Merkelin, kancelaren aktuale të Gjermanisë, e cila u rrit në pjesën lindore të këtij vendi. Ndërkohë që ajo ka refuzuar të bashkëpunojë me "Stasin" për të dhënë informacione për bashkëmoshatarët e saj, nga ana tjetër, policia e fshehtë e ka konsideruar si "fjalamane" dhe që s'mbante dot fshehtësitë.

Por refuzimi i saj i guximshëm do ta kthente atë në të dyshuar dhe do ishin moshatarët e saj, të cilët ajo s'kishte pranuar t'i spiunonte që do vëzhgonin me kujdes sjelljen e saj, për të raportuar më vonë.

Sekretet e një prej njerëzve më të pushtetshëm të Italisë, Silvio Berlusconi, i ka bërë të ditura pikërisht bashkëshortja e tij. Në një libër kujtimesh, ajo është shprehur se Berlusconi flet në gjumë dhe ka dobësi të madhe për Napoleon Bonapartën. Madje ai ka një koleksion të tërë me statuja qeramike të Bonapartës. Ky fakt, i bërë publik nga e shoqja, ka bërë që shpeshherë Berlusconi të shfaqet në faqet e gazetave i pikturuar me çizmet dhe kapelën e Napoleonit.

Një sekret më të madh ka ruajtur për shumë vite të jetës së tij, ish-presidenti i Francës, Francois Mitterrand. Ai ka arritur të bëjë një jetë të dyfishtë dhe jo vetëm gjatë kohës që ishte president. Përveç bashkëshortes së tij, ai ka pasur dhe një të dashur dhe një vajzë të paligjshme, e cila u bë publike pas vdekjes së tij.

Ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schroeder, edhe pse ka qenë drejtues i një prej shteteve më të fuqishme ekonomikisht në botë, kur ka qenë i vogël ka jetuar në varfëri të skajshme. Kjo ishte arsyeja që, sipas tij, fëmijët e tjerë nuk pranonin të luanin me të. Ndërsa Tony Blair mbart sekrete estetike, të cilat kur u zbuluan, i irrituan tatimpaguesit në Angli. Kjo për arsye se u zbulua se ai shpenzonte 3 mijë dollarë në muaj për kremra fytyre. Sipas medieve britanike, sekreti i lëkurës së shëndetshme të Tony Blairit është fakti se ai shpenzon dy herë më shumë se një femër me të ardhura mesatare në Angli. Ndërsa një ndër sekretet e vogla të kryeministrit misterioz të Rusisë, Vladimir Putin, është se mund të flasë gjithë dialektet e gjuhës gjermane.

Në anën tjetër, marrëdhënia e Clintonit me Monica Lewinskyn nuk mund të konsiderohet më sekret, duke qenë se ai e pohoi atë para gjithë kombit. Sigurisht, alergjitë e tij nuk e kanë penguar atë të shërbejë dy mandate si president i SHBA-së, nga viti 1993-2001. Bill Clinton është presidenti i tretë më i ri në moshë pas Theodore Rooseveltit dhe John F. Kennedyt.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, cilësohet si një femër e hekurt. Është e vështirë për të parashikuar preferencat e një personi që e sheh të veshur gjithnjë me kostumin diplomatik. Ndaj ngjan i çuditshëm fakti se filmi i saj i preferuar është “Casablanca” dhe e sheh atë “sa herë që i jepet mundësia”. “Më pëlqen gjithçka nga ai film. Është filmi im më i preferuar”, është shprehur Rice. Përveç kësaj, Rice është shprehur njëherë se puna e ëndrrave të saj është anëtare komisioni e Ligës Kombëtare të Futbollit. Sipas saj, kjo punë do të ishte shumë interesante, sepse futbolli është një lloj sporti që bashkon njerëzit e gjithë shtresave shoqërore.

Një prej sekreteve të presidentit të 34-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dwight D. Eisenhower, nuk kishte të bënte personalisht me të, por me qenin e tij. Qenit i ndalohej të hynte në Shtëpinë e Bardhë, pasi kreu nevojat personale në dhomën e pritjeve diplomatike. Eisenhower, i cili kishte nofkën “Ike”, ishte një gjeneral me pesë yje dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ai kishte shërbyer si komandant i lartë i forcave aleate në Evropë. Në vitin 1951 ai u bë komandanti i parë suprem i NATO-s. Si president republikan i SHBA-së, ai shërbeu dy mandate dhe gjatë tyre ai filloi sistemin e autostradave që lidhnin shtetet.

Presidenti tjetër amerikan, William Howard Taft, përshkruhej si një president i rrumbullakosur nga shëndeti. Por pesha e tij reale kur u zgjodh president ishte 150 kilogramë, që i bie më shumë se një bebe elefanti. William Howard Taft ishte presidenti i njëzet e shtatë i SHBA-së dhe lider i krahut progresist konservativ të Partisë Republikane. Ai ishte gjithashtu një pionier në fushën e të drejtave ndërkombëtare dhe një avokat i patundur i paqes në botë, duke u anuar nga pacifizmi. Ai ishte gjithashtu pinjoll i një familjeje të njohur politikane në Ohajo, familja Taft. Miku i tij më i ngushtë ishte paraardhësi i tij, Theodore Roosevelt.

Një prej sekreteve të Harry S. Trumanit është fakti se ai ishte nga ata nxënës që quheshin “peshkopë”. Është fakt tashmë se kur mbaroi shkollën e mesme, Truman kishte lexuar të gjithë dy mijë librat që ndodheshin në librarinë publike, ku ai ishte i regjistruar, duke përfshirë këtu edhe enciklopeditë. Në kohët e sotme, shumë studiues amerikanë e rendisin atë në dhjetë presidentët më të suksesshëm të SHBA-së të të gjitha kohërave. Harry Truman ka qenë presidenti i tridhjetetretë i SHBA-së dhe u bë president i vendit, kur presidenti aktual, Franklin D. Roosevelt u nda nga jeta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›