E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshesa e Hysit

Edicionin e ri, Hysi pritet ta nisë pa disa futbollistë me të cilët e fitoi titullin e kampionit. Bardhezinjtë tashmë ua kanë hapur derën Samir Sahitit, Granit Çekajt, Benis Krasniqit, Ylli Prekopucës e Festim Krasniqit. Ndërsa e paqartë mbetet e ardhmja e edhe disa lojtarëve tjerë, të cilëve u kanë skaduar kontratat. Nga Valon Konushevci më 22 qershor 2011 në ora 12:12

Skuadra e Hysit pritet që edicionin e ri ta nisë pa disa futbollistë, me të cilët ia doli të shpallet kampion në kampionatin e porsapërfunduar.

Udhëheqësit e klubit bardh e zi për edicionin e ardhshëm nuk llogarisin në disa lojtarë, të cilëve tashmë veç ua kanë hapur derën për t’u larguar nga Merdarja.

Ndërsa, e paqartë mbetet situata me disa lojtarë tjerë, të cilëve u kanë skaduar kontratat, por edhe me disa futbollistë të klubeve tjera, të cilët ishin të huazuar te klubi bardh e zi.

Samir Sahiti veç është liruar nga Merdarja për t’u transferuar te Renova e Maqedonisë. Nga e njëjta derë pritet të dalin edhe disa të tjerë.

“Përveç Sahitit, Granit Çekaj, Benis Krasniqi, Ylli Prekopuca e Festim Krasniqi do të lirohen. Pos tyre, sigurisht se do të lirohet edhe ndonjë lojtar tjetër”, tha për Express kryeshefi ekzekutiv i Hysit, Afrim Macula, sipas të cilit e paqartë mbetet edhe e ardhmja e qendërmbrojtësit Fisnik Papuqi.

Po ashtu, kontratat u kanë skaduar edhe Përparim Osmanit e Ahmet Halitit, për të cilët llapjanët po mendojnë të nënshkruajnë kontrata të reja.

Ndërkohë, ende nuk dihet se a do vishen edhe në të ardhmen bardh e zi Kastriot Rexha e Labinot Jetullahu. Të dyve këtyre u kanë skaduar kontratat me Hysin, ku ishin të huazuar – Jetullahu nga 2 Korriku, kurse Rexha nga KEK-u.

Mirëpo, udhëheqësit e klubit kanë bërë të ditur se do të jenë aktivë gjatë afatit kalimtar të verës për t’u përforcuar me lojtarë të rinj.

Por, fillimisht ata duan ta zgjidhin çështjen e trajnerit. Afrim Tovërlani ka mundësi që të emërohet trajner i ri i llapjanëve. Me ardhjen e trajnerit të ri, klubi kampion pritet të vendosë përfundimisht se me cilët futbollistë t’i vazhdojë kontratat, e me cilët do të përforcohet për sezonin e ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›