Fshiu filmimet e 21 janarit, gjykata e shpall të pafajshëm. Kasaj: Tani do kërkoj dëmshpërblim
(E PERDITESUAR)- Gjykata e Tiranës e ka shpallur të pafajshëm ish- shefin e IT-së në kryeministri, Armando Kasaj, që ishte akuzuar nga prokuroria se kishte fshirë pamjet e filmuara më 21 janar.
Prokuroria kishte kërkuar dy vite burgim për Kasajn.
Por trupi gjykues vlerësoi se Armando Kasaj nuk i kishte fshirë pamjet ashtu sikurse pretendonte organi i akuzës, duke e shpallur atë të pafajshëm.
Vendimi i marrë në seancën e sotme, kur i pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij për fshirjen e pamjeve të ngjarjeve të 21 janarit nga serveri qendror i Këshillit të Ministrave, duke e shpallur të pafajshëm.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 2 vjet burg për specialistin e IT-së së Kryeministrisë për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe për shpërdorim detyre, por gjykata vlerësoi se Kasaj nuk i kishte kryer veprimet për të cilat ishte akuzuar më parë dhe se prokuroria nuk kishte hetuar aq sa duhej lidhur me çështjen.
Në deklarimet e tij, Kasaj kishte pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës.
Pas dhënies së vendimit, Kasaj tha se do kërkojë dëmshpërblim.
Drejtësia e provoi që jam i pafajshëm. Tani do të nis procedurat për dëmshpërblim, deklaroi Kasaj menjëherë pas vendimit të marrë nga gjykata.
Nga ana e saj Prokuroria deklaroi se do të apelonte vendimin.
