E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikoi listat zgjedhore më 8 maj, prokuroria merr të pandehur shefin e gjendjes civile

Prokuroria vazhdon të faktojë masakrat e ndodhura në komuna nga kandidatët e mazhorancës së Berishës më 8 maj. Kësaj here merret i pandehur shefi i gjendjes civile në komunën Vllahinë pasi shtoi mbi 400 votues në listën e zgjedhësve

Nëse gërmon për të parë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, sidomos në komuna, aty ku pushteti i Berishës triumfoi, zbulon shkelje sa hap e mbyll sytë.

Para pak kohësh prokuroria faktoi lehtësisht shkeljet e kandidatit të Berishës në komunën Dajç në Lezhë, i cili u shpall fitues me qindra vota emigrantësh, që nuk ishin aspak në Shqipëri atë ditë.

Kësaj here prokuroria njofton se ka kapur shkelje të një tjetër kandidati të Berishës në zgjedhjet lokale, në komunën Vllahinë në Vlorë. Kandidati i opozitës ka depozituar kallëzimin se në listat e zgjedhësve janë shtuar mbi 400 votues, që nuk i përkisnin asaj zone, mjaftueshëm për të përmbysur garën në çdo komunë. Dhe prokuroria ka faktuar këtë shkelje, duke marrë të pandehur shefin e gjendjes civile.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Në datën 26.04.2011, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë mbi bazën e materialit kallëzues të paraqitur nga shtetasi Gëzim Hoxha, ne cilësinë e kandidatit te grupimit politik “Aleanca per të Ardhmen”, ne ngarkim te shtetasve Sokol Hodaj, me detyre kryetar i Komunës Vllahinë dhe shtetasit Ariton Shoraj, me detyre përgjegjës i Zyrës së Gjendjes Civile të Komunës Vllahine, për falsifikimin e listave përfundimtare të zgjedhjeve për zgjedhjet për drejtuesit e pushtetin vendor qe do te zhvilloheshin ne datën 08.05.2011, ka regjistruar procedimin penal nr. 478 të vitit 2011 për veprat penale të Falsifikimit të dokumenteve dhe Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga nenet 248 dhe 186 të Kodit Penal.

Nga studimi i materialit kallëzues ka rezultuar se nga ana e kallëzuesit është pretenduar se, ne listat përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 08.05.2011, në të cilat ai ishte kandidat për tu zgjedhur si kryetar i Komunës Vllahinë, është bërë pasqyrimi i të dhënave të rreme, duke shtuar në mënyrë fiktive emrat e rreth 424 (katërqind e njëzet e katër) zgjedhësve, të cilët pretendohet se janë transferuar me vendbanim në Komunën Vllahinë, por që nuk kanë rezultuar në listat paraprake të zgjedhësve.

Bazuar në provat e administruara dhe deklarimet e marra rezulton e provuar se prej shtetasit Ariton Shoraj, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Gjendjes Civile pranë Komunës Vllahinë, janë konsumuar elementët e veprës penale të Falsifikimit të dokumenteve.

Si përfundim, ne analizë të provave të administruara, si dhe dispozitave të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhur i Republikës së Shqipërisë, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë është marrë në cilësinë e të pandehurit dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë shtetasi Ariton Shoraj, pasi në kundërshtim me dispozitat nr. 48, 51 dhe 171 të këtij ligji, ka falsifikuar të dhënat e listës së zgjedhësve të Komunës Vllahinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›