E Diel, 1 Nëntor 2026

Estonia: Shqiptarët të udhëtojnë të lirë e pa viza, sa më shpejt që të jetë e mundur

Gjatë Takimit jozyrtar të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s në Estoni, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Paet. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh si dhe mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Paet shprehu mbështetjen e fuqishme të Estonisë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë, si një hap logjik në procesin e saj integrues. “Ne jemi të gatshëm dhe të hapur ta ndihmojmë dhe mbështesim Shqipërinë sa më shumë që të jetë e nevojshme në rrugën e saj drejt BE-së. Ne e dimë nga vetë eksperienca jonë se sa e rëndësishme është të kesh lirinë e vizave me vendet e tjera të BE-së. Dhe për këtë arsye, për ne është e qartë se qytetarët shqiptarë duhet të udhëtojnë të lirë pa viza drejt BE-së, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›