NATO- Anëtarësim i plotë në prill 2009
Shqipëria ka marrë dje ftesën për t’u anëtarësuar në Paktin e Atlantikut të Veriut. Shqiptarët nga natyra e tyre patriotike kanë festuar këtë eveniment. Megjithatë Shqipëria ende nuk është anëtare me të drejta të plota në NATO dhe rruga drejt anëtarësimit është e gjatë.
Çfarë do të përfitojnë shqiptarët nga anëtarësimi në Alencën e madhe ushtarake dhe politike të NATO-s?
Në radhë të parë pritet që integrimi në NATO të sjellë siguri dhe stabilitet të brendshëm politik në vend. Në sytë e shteteve të tjera anëtarësimi në NATO jep siguri kombëtare dhe kjo bën që të tërhiqen shumë investitorë të huaj. Vendet si Bullgaria dhe Rumania patën një “BOOM” investimesh të huaja, vetëm një vit pas marrjes së ftesës nga NATO. Marrja e ftesës është konsideruar hapi i parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Procedurat
Pas marjes së ftesës Shqipëria duhet të kalojë një periudhë përpara se të bëhet anëtare me të drejta të plota në Aleancë.
Ajo duhet të realizojë një sërë detyrash, që parashikojnë plotësim standartesh si në reformën zgjedhore, në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, çështjen e pronave etj.
Autoritete shqiptare duhet të hartojnë një plan veprimi për reformat, në bazë të të cilit do të shikohet edhe ecuria. Ky plan veprimi duhet të miratohet nga vendet anëtare të NATO-s dhe të ratifikohet nga parlamentet e tyre. E gjithë kjo duhet të përmbushet deri në muajt shkurt-mars 2009, pasi në prill 2009 do të jetë samiti I ardhshëm I NATO-s, që përkon me 60-vjetorin e krijimit të Paktit të Atlantikut të Veriut. Në këtë samit, i cili mbahet pak para zgjedhjeve parlamentare, Shqipëria pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota