“Mjaft”-i dënon sulmin ndaj Vizion Plusit
Lëvizja “MJAFT” ka reaguar ndaj sulmit të Policisë Ndërtimore për heqjen e antenave transmetuese të sinjalit të Televizionit Vizion Plus. Në deklaratën për shtyp të lëvizjes “Mjaft” thuhet: “Lëvizja ‘Mjaft!’ shprehet tejet e shqetësuar për sulmin politik ndaj Vizion Plusit nga Policia Ndërtimore. Sulm i cili po materializohet me një shkëputje selektive të sinjalit vetëm në antenat e këtij televizioni. Gjithashtu, ne jemi të tronditur nga mungesa totale e transparencës së veprimeve të tilla, në një kohë kur e gjithë vëmendja e publikut është përqendruar te Samiti i NATOS-s, çka me sa duket i jep dorë të lirë qeverisë apo njerëzve pranë saj për të eliminuar ‘armiqtë e brendshëm’. Armiq që i identifikoi vetë kryeministri Sali Berisha, pas raportimeve të medias shqiptare mbi tragjedinë e Gërdecit, kur e akuzoi këtë të fundit si të lidhur me mafien. Vlen të kujtohet se ky nuk është precedenti i parë kur Berisha ka akuzuar median për lidhje me mafien, çka si atëherë edhe sot, u vijua nga reprezalje mbi organet e informimit publik. Së fundi opinioni publik u bë dëshmitar edhe i një dhunimi të drejtpërdrejtë fizik i një gazetari nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, veprim ky që u dënua me forcë edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Të gjitha këto fakte dhe vijimësia e mëtejshme e ngjarjeve dëshmojnë se liria e fjalës në Shqipëri po gremiset rrezikshëm nga dita në ditë”.
3 Prill 2008