E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, 120 mijë dollarë borxh shtetit për fushatën elektorale

KLSH: Partitë politike të kthejnë paratë në arkën e shtetit. Partitë e vogla me rezultate të mira do të përfitojnë kompensim

Erald Kapri

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar raportin e tij mbi punën gjatë vitit 2007. Në zbatim të detyrimeve të saj, KLSH-ja ka kontrolluar edhe shpërndarjen e fondeve të Buxhetit të Shtetit që kanë marrë partitë politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga evidentimet e KLSH-së, disa parti i detyrohen shtetit fonde të konsiderueshme, ndërkohë që parti të tjera duhet të përfitojnë kompensim. Sipas përllogaritjeve të formulës së shpërndarjes së fondeve për zgjedhjet lokale të vitit 2007, KLSH ka evidentuar se ai është ndarë korrektësisht për partitë politike. Rezultati i zgjedhjeve lokale ka përcaktuar edhe detyrimet që disa parti kanë për të kthyer paratë që kanë marrë tepër, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve. Sipas rezultateve të zgjedhjeve, duke e krahasuar me formulën e shpërndarjes së fondeve, KLSH-ja ka evidentuar edhe partitë debitore ndaj taksapaguesve shqiptarë. Nga rillogaritja dhe rishpërndarja e 50 për qind të shumës së përgjithshme të fondeve të akorduara për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike në përpjesëtim me numrin e votave të fituara prej partive në shkallë vendi, u përcaktuan edhe partitë debitore dhe ato që duhet të përfitojë kompensim.
Partitë debitore
Sipas KLSH-së, debitoret më të mëdha janë dy partitë kryesore, PD-ja dhe PS-ja. Kështu, Partia Demokratike i detyrohet shtetit 5.493.882 milionë lekë ose diku tek 60 mijë dollarë. Ndërkohë, Partia Socialiste i detyrohet shtetit 5.215.770, ose diçka më pak se 60 mijë dollarë. Në listën e deditorëve ndodhen edhe Partia Social Demokrate me 1.809.099, ose diçka më tepër se 20 mijë dollarë, Partia Aleanca Demokratike i detyrohet shtetit 336.934 ose diku te 5 mijë dollarë dhe Partia Demokracia Sociale i detyrohet buxhetit 810.009, ose afërsisht 10 mijë dollarë. Kjo sasi parash, që duhet të kthehet, përcaktohet në bazë të formulës. Kthimi i parave duhet të bëhet sepse e përcakton ligji një gjë të tillë, pasi këto parti kanë marrë rezultate në zgjedhje më pak se në zgjedhjet pararendëse, që i bie 3 korriku i vitit 2005. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në nenin 145, germa “c” të Kodit Zgjedhor, i është drejtuar Ministrisë së Financave me shkresën nr. 4488, datë 25.6.2007, për zbatimin e detyrimeve të ndërsjella që kanë partitë politike për fondet e shpërndara për fushatën zgjedhore vendore të vitit 2007. Ministria e Financave, me shkresën nr. 4721/1, datë 04.7.2007, ka njoftuar KQZ-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit për ekzekutimin e këtyre detyrime, të cilat nga verifikimi rezultuan të kryera nga Dega e Thesarit Tiranë, brenda afateve ligjore. Njëkohësisht, për rregullimin e gjendjes, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit u rekomanduan masa organizative dhe masa për zhdëmtim nga partitë politike.
Partitë përfituese
Një grup partish të vogla që kanë dalë me rezultat më të mirë në zgjedhjet lokale të vitit 2007, do të përfitojnë kompensim shtesë e përcaktuar sipas formulës ligjore. Partia Republikane do të kompensohet 1.774.303 ose diku tek 20 mijë dollarë, Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut do të kompensohet 721.057 ose diku më pak se 10 mijë dollarë, Partia Demokristiane do të përfitojë 2.588.771 ose diku tek 30 mijë dollarë, Partia Demokrate e Re do të kompensohet me 2.883.426 ose diçka më tepër se 30 mijë dollarë, Partia Agrare Ambientaliste do të përfitojë 479.018 ose diku tek 6 mijë dollarë dhe Partia Socialiste për Intergrim do të përfitojë 5.219.118 ose afër 60 mijë dollarë.
Ndarja e fondeve
Buxheti i shtetit ndan për çdo zgjedhje 60 milionë lekë për të gjitha partitë konkurruese. Këto fonde buxhetore përballohen nga buxheti i shtetit dhe shpërndahen sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike. Me dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007, të nxjerrë nga ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, data e caktuar për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore u vendos 18.02.2007, viti i cili përkon dhe me lëvrimin e fondeve për këtë fushatë. Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve KQZ, në mbështetje të Kodit Zgjedhor, neni 29, “Kompetencat e KQZ”, nenit 145, pikat 1 dhe 2, nxori vendime të cilët përcaktojnë partitë të cilët përfitojnë fonde buxhetore sipas disa rregullash të përcaktuara në Ligjin nr. 9087, datë 19.6.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar. Fondi prej 60 milionë lekësh është shpërndarë sipas rregullave të përcaktuara e konkretisht fondi prej 10 për qind, në shumën 6 milionë lekë i është dhënë 6 partive politike me nga 1 milionë secila, në bazë të vendimit të KQZ-së. Fondi prej 40 përqindësh në shumën 24 milionë lekë i është dhënë 29 partive politike dhe fondi prej 50 për qind, në shumën prej 30 milionë lekësh i është shpërndarë 8 partive politike.

Partitë Politike Përfitojnë kompensim (Në lekë)
Partia Republikane 1.774.303
Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut 721.057
Partia Demokristiane 2.588.771
Partia Demokrate e Re 2.883.426
Partia Agrare Ambientaliste 479.018
Partia Socialiste për Integrim 5.219.118
Totali 13.665.693
Partitë Politike Fondi për t’u kthyer
Partia Demokratike 5.493.882
Partia Socialiste 5.215.770
Partia Social Demokrate 1.809.099
Partia Aleanca Demokratike 336.934
Partia Demokracia Sociale 810.009
Totali 13.665.694

Shpenzimet e partive për zgjedhjet e 2007-s

Subjekti zgjedhor Të ardhura Shpenzimet
PSSH 45060314 45073282
PR 0 10841300
PDSH 52941135 47725422
PSD 5687941 5333743
LSI 11055515 11054638
PDS 1831689 5003837
PDR 0 4834200
BK 0 350000
PBDNJ 0 7040000
PLL 0 700000
PAA 0 6643500
PGJSH 0 47434
PAD 3450000 3450000
PKSH 594429 350000
PA 0 150000
PBD 564000 100000

Formula e ndarjes së parave për partitë politike nga Buxheti i Shtetit

Në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me shpërndarja dhe rishpërndarja e fondit për financimin e fushatës zgjedhore, dhe partitë politike përfitojnë fonde buxhetore për zhvillimin e fushatës. Ndarja e fondeve të buxhetit bëhet sipas një rregulli të përcaktuar. Së pari, 10 për qind e shumës ndahet ndërmjet të gjitha partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë regjistruar jo më pak se 30 për qind te kandidatëve për zgjedhje. Së dyti, 40 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive të përfaqësuara në Kuvend ose bashki dhe komuna sipas numrit të përfaqësimit dhe deputeteve të pavarur që rikandidojnë. Së treti, 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin ose për organet e qeverisjes vendore, kanë marrë jo më pak se 2,5 për qind të votave sipas një formule të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Për vitin 2007, fondi i akorduar nga buxheti i shtetit para fushatës zgjedhore, me vendim të qeverisë ishte në shumën 60 milionë lekë.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›