E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: “Korrupsioni i Berishës shkatërroi imazhin e Ushtrisë Shqiptare”



Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, tha se partia e drejtuar prej tij do të inkurajojë dhe do të marrë pjesë në protestën e ditës së premte të opozitës. Gjinushi tha se protesta “Pro NATO-s, jo Berishës” do të jetë shprehja më e qartë e popullit dhe opozitës shqiptare, të cilët nuk mund të pajtohen me pasojat që ka sjellë qeverisja e paaftë, e dështuar dhe e korruptuar e kryeministrit Sali Berisha. “Qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë do t’i thonë të premten “pro NATO-s dhe jo Berishës dhe qeverisë së tij”, - tha Gjinushi. Kryetari i PSD-së theksoi se marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë për në NATO nuk është meritë e kryeministrit Berisha, por e popullit shqiptar. Sipas Gjinushit, Berisha ka bërë të kundërtën. Ai ka meritën e dëmtimit dhe pengimit të Shqipërisë në integrimin e saj në NATO. “Shqipëria e ka marrë ftesën për në NATO që në vitin 1999, kur mbështeti ndërhyrjen e forcave aleate në Kosovë, kur territori i Shqipërisë, gjithë trevat shqiptare dhe familjet shqiptare u kthyen në bazën më të sigurt të NATO-s në rajon për çlirimin e Kosovës. Shqipëria e ka marrë ftesën kur ushtarët tanë u bënë pjesë e forcave paqeruajtëse kudo në botë përkrah forcave aleate. Këtë proces nuk mund ta ndalin dështimet, papërgjegjshmëria dhe trafiqet e qeverisë aktuale”, - deklaroi kryetari i Partisë Social-Demokrate. Kreu i PSD-së theksoi se kryeministri Berisha duhet të largohet, pasi përveçse është përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit, ka qeverisur në mënyrë të paaftë, të papërgjegjshme dhe të korruptuar. Gjinushi tha se Berisha ka dëmtuar gjithashtu edhe imazhin e ushtrisë shqiptare, duke nxitur dhe përfituar nga trafiku i armëve.
“Ne shprehim keqardhjen sidomos për ushtrinë shqiptare, e cila në këtë moment historik e pret ftesën për në NATO me këtë njollë të turpshme, masakrën e Gërdecit, të shkaktuar nga korrupsioni qeveritar. Kjo ushtri që prej vitesh me radhë merr pjesë në ruajtjen dhe vendosjen e paqes në rajonet më të nxehta të globit shkakton vdekjen dhe gjymtimin e qindra shqiptarëve me armët e saj në mes të Tiranës. Këto janë sukseset e qeverisë së Berishës e cila duhet të largohet”, - tha Gjinushi.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›