E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të ikë, sjell vetëm varfëri dhe pasiguri për shqiptarët”

Kreu i PS-së vijon turin “Dialog me Shqipërinë” në Rubik dhe fshatrat përreth. Rama kërkon dorëheqjen e Berishës, si shkaktarin e varfërisë dhe pasigurisë në vend

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është rikthyer turit të “Dialog me Shqipërinë”, teksa ka vazhduar dje takimet me banorët e qytetit të Rubikut, si dhe në komunën Marlecaj të Torovicës.
Në epiqendër të këtyre takimeve ka qenë pasiguria e jetës dhe niveli i lartë i varfërisë, që u ka ofruar kjo qeveri shqiptarëve. Në takimet me banorët e Rubikut dhe të Marlecajt, Rama tha se paaftësia e strukturave qeverisëse ka arritur në një pikë ekstreme, duke mos garantuar sigurinë e jetës shtetasve shqiptarë. “Bashkëqytetarët tanë, shqiptare dhe shqiptarë, në mënyra të ndryshme e humbasin jetën në rrugë, në punë, në festë dhe askush nuk mban përgjegjësinë. Në bazë të votës sonë është formuar një qeveri dhe shteti ka përfaqësuesit e njerëzve që duhet të mbajnë përgjegjësi, por shteti mungon. Shteti nuk është! Shteti sjell dëmet, aty ku duhet të garantojë jetën, aty ku duhet të garantojë punën, aty ku duhet të garantojë rrugën, aty ku duhet të garantojë ushqimin, aty ku duhet të garantojë gjithçka, në një territor që quhet atdhe”, - tha Rama.
Kryesocialisti theksoi se shoqëria shqiptare po përjeton një dramë të vërtetë, si rezultat i keqqeverisjes së maxhorancës aktuale. Rama theksoi nivelin e mjerueshëm dhe problematik të sistemit arsimor, shëndetësor, të punësimit dhe të gjendjes ekonomike të shqiptarëve.
Largimi i Berishës
Duke iu rikthyer edhe njëherë tragjedisë së Gërdecit dhe përgjegjësisë së kryeministrit për këtë tragjedi, kryetari i Partisë Socialiste theksoi se e vetmja gjë që i ka mbetur Berishës për të bërë është dorëheqja dhe largimi i tij përfundimtar. “Kryeministri ynë ka paturpësinë të thotë unë nuk dija gjë për një ngjarje që tronditi Shqipërinë dhe botën mbarë. Ne kemi të drejtë të themi që ky kryeministër nuk duhet të na qeverisë më, sepse më e pakta që ai duhet të bëjë dhe më e pakta për të, edhe për faktin që nuk dinte gjë, është të largohet.
Si mundet që pasi populli ka votuar dhe pasi përmes votës dhe vullnetit të popullit është ndërtuar një qeveri për të administruar punët në vend dhe për të zgjidhur problemet dhe hallet e njerëzve, një popull i tërë të lihet tërësisht i pavarur, lihet tërësisht i vetëm në mëshirën e fatit, tërësisht në duart e rastësisë, në rrugë, në punë, në festë dhe nga ana tjetër ky popull ndihet i detyruar të dëgjojë, sesi njeriu që ka marrë mandatin për të na udhëhequr na shfaqësohet duke thënë nuk dija gjë”,- vijoi Rama.
Politika e re
Gjatë takimeve, kreu i selisë rozë ka folur rreth domosdoshmërisë së shkëputjes nga politika e vjetër 17-vjeçare, të paaftë dhe të papërgjegjshme. “Ne së bashku mund të bëjmë të mundura gjërat, që sot duken tërësisht të pamundura. Së bashku me të gjithë ata që e dëshirojnë dhe që janë gati të luftojnë për t’i bërë të mundura gjërat, që sot duken të pamundura. Me të gjithë ata që janë gati të vënë interesat e fëmijëve të tyre, mbi interesat e klanit, partisë, të politikës dhe që janë gati ta kthejnë politikën në një aktivitet qytetar, në një aktivitet ku secili prej nesh merr pjesë herë në sallë, herë në tribunë, po ku askush nuk është i domosdoshëm dhe ku gjithkush është i nevojshëm dhe ku pushteti është shprehje e vullnetit për t’i bërë gjërat, për t’i ndërtuar gjërat, e vullnetit për t’i realizuar ëndrrat, dëshirat, ambiciet dhe jo shprehje e vullnetit për të sunduar. Për të sunduar mbi gjithë ata që me votën e tyre i japin mundësi pushtetit, që të formohet dhe ju japin mundësi disa njerëzve që ta ushtrojnë këtë pushtet. Ne duhet të ndryshojmë natyrën e pushtetit në Shqipëri”, - tha Rama gjatë takimeve me banorët e zonës së Rubikut.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›