E Diel, 1 Nëntor 2026

Si nisën konfliktet mes bandave, zanafilla e krimeve mes tyre



Nga provat e marra gjatë hetimeve të këtij gjyqi 5-vjeçar, rezulton se të pandehurit pasi krijuan dhe morën pjesë në këtë bandë e deri në shpërndarjen e saj, aktivitetin kryesor kriminal e kanë kryer në Cerkovinë e në zonat aty pranë. Aktiviteti i të pandehurve që bashkëpunonin në kuadrin e një bande të armatosur filloi të bëhej më i konsoliduar e më i planifikuar pas konfliktit që banda e Gaxhait pati me bandën e Zanit (Myrteza Caushi). Një nga personat që ka deklaruar ekzistencën e këtyre dy grupeve mjaft të rrezikshme në Vlorë është shtetasi Pëllumb Bajrami. Dëshmia e tij konfirmoi ekzistencën e grupeve të armatosura, por edhe vetë konfliktin që dy bandat, ajo e Zanit dhe ajo e Gaxhait, patën në qytetin e Vlorës. Madje në dëshminë e tij, ky shtetas ka shpjeguar qartë dhe momentin e lindjes së konfliktit mes këtyre dy bandave që, sipas tij, është dita e vrasjes së Bernard Duçkës (me nofkën Kuqo). Sipas prokurorit Beci, rezulton se pothuajse të gjitha këto krime, vrasje e vepra të tjera penale, janë kryer në funksion të konfliktit që ata kishin me bandën e Zanit, kryesisht pas vrasjes së Bernard Duçkës, i njohur me pseudonimin “Kuqo” që ishte bashkëpunëtor i Gazmir Brakës. Po atë ditë, pra në datë 09.05.1997, banda e Gaxhait ka rrëmbyer Bejo Bajramin, vëllanë e Avdyl Bajramit, që njihej si përkrahës i bandës rivale të Zanit, për hakmarrje ndaj vrasjes së Bernard Duçkës.

Vrasja e “Kuqos”, zanafilla e konfliktit Gaxhai-Zan Caushi

“... nuk më kujtohet data por ka qenë muaji mars 1997, pas shpërthimit të depove të armëve, unë kam marrë pjesë në bandën e Myrteza Caushit, i njohur me emrin “Zani”. Nuk më kujtohet saktë, por duhet të ketë qenë nga data 08-09.03.1997, rreth orës 13:30, kur unë jam nisur nga shtëpia me automjetin tim tip “Benz 240”, me ngjyrë të bardhë e kam shkuar tek dajoja im, Petrit Kaci, në lagjen e “Ujit të ftohtë”, në vendin e quajtur kabinat e plazhit të ujit të ftohtë u takova me shtetasin Afrim Rama i njohur me emrin “Luçiano”, ndërsa 50 metra më tej ishte duke qëndruar Myrteza Caushi me Arben Latifin dhe shumë persona të tjerë të cilët ishin të armatosur. Në këtë kohë, në xhaden kryesore në drejtim të ujit të ftohtë, kaloi Leonardi, mbiemrin e të cilit nuk e di, i njohur me emrin “Kuqo” me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të kuqe, i cili pasi më përshëndeti mua dhe “Luçianon” vazhdoi rrugën. Pasi bëri rreth 50 metra rrugë, i dolën përpara Myrteza Caushi bashkë me Arben Latifin, të cilët qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të Leonardit, (Kuqos), i cili mbeti i vrarë në vend. Më pas pashë që shpërtheu makina dhe mori flakë. Pas kësaj, unë i thashë Luçianos se çfarë pati Zani, ai më tha s’ka ç’të duhet ty dhe mori makinën e iku tek ata, ndërsa unë shkova tek shtëpia e dajos tim e qëndrova deri të nesërmen”, - ka dëshmuar në vitin 2004 Pëllumb Bajrami, i cili u dyshua nga Gaxhai se kishte marrë pjesë në vrasjen e shokut të tij, Bernard Duçka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›