E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi i energjisë, zvicerania “EGL” jep ofertën më të mirë



Kompania zvicerane “EGL” ka ofruar çmimin më të leverdishëm për energjinë që KESH-i parashikon të importojë për periudhën 1 korrik - 31 dhjetor 2008. Në tenderin e hapur dje në ambientet e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, 7 kompani kanë paraqitur ofertat e tyre. Ato janë kompanitë serbe, “GEN-I”, “Rudnap” dhe “CEZ”, kompanitë zvicerane “EFT” dhe “EGL”, kompania çeke “RE” dhe ajo shqiptare “GSA”. KESH-i kërkon të importojë për këtë periudhë të vitit, 883 mijë megavat/orë, të ndarë në 6 lote, ndërsa ka në dispozicion një fond prej 77 milionë eurosh. Nëpërmjet tenderit KESH-i ka parashikuar blerjen me 87.1 euro për kilovat/orë. Të gjitha ofertat e kompanive kanë qenë brenda çmimit të ofruar nga KESH-i. Çmimi më i leverdishëm është ofruar nga kompania zvicerane “EGL”, me 80.9 euro për kilovat/orë, pasuar nga ajo serbja “Rudna”, me 82.2 euro për kilovat/orë. Energjinë që KESH-i synon të blejë nëpërmjet këtij tenderi do ta përdorë për periudhën në vazhdim duke e kombinuar atë së bashku me prodhimin vendas të energjisë, si strategjia e vetme për të siguruar furnizimin me 24 orë me energji. Kompania e vlerësimit do të mblidhet më vonë për verifikimin e dokumentacionit dhe të ofertës. Sipas afateve komisioni duhet të shpallë fituesin brenda 20 ditësh.

Defekt në linjën e importit të energjisë Greqi-Shqipëri

Një avari e rëndë ndodhi dje pasdite në linjën e interkonjeksionit 400 kilovolt Greqi-Shqipëri. Mësohet se defekti ndodhi në tokën greke rreth orës 15.00 të ditës së hënë dhe burime zyrtare nga Operatori i Sistemit të Transmetimit bënë të ditur se të paktën deri sot pasdite kjo linjë e cila është linjë kryesore e interkonjeksionit, do të jetë jashtë sistemit të furnizimit. Burime zyrtare thanë gjithashtu se importi i energjisë elektrike që vjen nga Greqia do të kryhet nga linja të tjera. Ndërkohë nuk konfirmohet fakti nëse ky defekt do të ndikojë në furnizimin normal me energji elektrike të popullatës ditën e sotme.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›