E Diel, 1 Nëntor 2026

“Njerëz të humbur” gjen Aurora Latollarin pas 11 vitesh në Itali



Një kalvar gati 11-vjeçar, një rini e shkatërruar dhe e harruar nga pasojat e një ngjarjeje tragjike... Viti i mallkuar ’97 rezultoi i tillë edhe për familjen Latollari. “U detyrova t’i jap bekimin tim Aurorës, vajzës time, e cila u martua me Astrit Kalaverin, megjithëse nuk e bëra kurrë me zemër... Vajza thoshte se e donte, por edhe sikur të mos ishte e vërtetë, nuk kisha nga t’ia mbaja. Në ato kohë të trazuara gjithçka mund të ndodhte. Mendova se duke e martuar të paktën do të ruaja nderin e familjes...”. Kështu shprehet Sotir Latollari, babai nga Korça, i cili i rriti dy vajzat e tij me shumë mundime. Aurora, vajza e madhe e tij, pasi u njoh me Astritin, u largua në drejtim të Italisë kur ishte vetëm 16 vjeçe. Ishte fillimi i vitit 1997. Fillimisht jeta e Aurorës me Astrit Kalaverin ishte normale, por që i ngjante më shumë një qetësie para stuhisë... Nga qyteti i Napolit ata u zhvendosën në fshatin Rivergaro të Piacenzës. Problemet po fillonin të lindnin mes çiftit. Në telefonatat që realizonte me familjen e saj, Aurora filloi të shprehte shqetësime për keqtrajtim nga ana e të shoqit. Vjeshta e vitit 1997 duket se solli kulmin e mosmarrëveshjeve të tyre derisa Aurora u detyrua të lërë shtëpinë dhe të largohet. Data 14 tetor e vitit 1997 ka qenë dhe telefonata e fundit e vajzës me babain e saj, ku ajo pohonte se “nuk mund të shkelte nderin e familjes dhe të dilte në rrugë ashtu siç i kërkonte i shoqi”. Në këtë mënyrë ajo zgjodhi të ikte sa më larg të ishte e mundur. Një dëshmitare pohoi se ajo ishte larguar me një shtetas italian, por duhej të kalonin mbi 10 vjet që të kuptohej se kjo ishte vetëm një alibi e ngritur nga ata që më vonë donin t’i merrnin jetën Aurora Latollarit. Ata donin të jepnin përshtypjen se ajo ishte larguar me dëshirë, që edhe nëse gjendej e vdekur, përgjegjësia të mos ishte e tyrja. Shumë vitesh kërkimesh, ankth e lot do të kalonte familja Latollari për vajzën e tyre, Aurora. Gjatë tri javëve trajtimi në studion e “Njerëz të humbur” gjërat po qartësoheshin e fakte rrëqethëse po dilnin në dritë.
Shenjat e jetës
Ka ngjallur një interes të madh te publiku historia e vajzës nga Korça, Aurora Latollari, gjatë kohës që shfaqej në ekranin e Vizion Plusit. Informacione të shumta vinin për 26-vjeçaren, megjithëse shumica prej tyre anonime, pasi, siç dukej, askush nuk donte të përzihej në këtë histori që po zbulonte pak e nga pak “ajsbergun e mafies”. Fillimisht u përfol për një vajzë e cila jetonte në Piacenza, e cila ngjasonte me Aurorën, por në fund vëmendja e gazetarëve u përqendrua në një informacion të turbullt që vinte nga Ankona, një qytet i pahasur më parë në historinë e vajzës korçare. Një e re me emrin “Pamela”, punëtore në një lokal në Ankona, ishte personazhi më “surprizë” dhe i çuditshëm përsa i përkiste ngjashmërisë me Aurora Latollarin. Një javë më parë zërin e saj e dëgjuan Sotiri dhe Linda, dy prindërit e Aurorës, të cilët u habitën pasi ai zë dukej i dëgjuar edhe më parë... U desh një punë e gjatë, e lodhshme dhe me rrezik për stafin e “Njerëz të humbur” që ajo të merrej mënjanë dhe gjatë javës të mësohej historia e jetës së saj, një dëshmi e tmerrshme, por e vërtetë...
Dëshmia e tmerrshme
“Kam ardhur në Itali para shumë vitesh, nuk e di se kur, por duhet të kem qenë rreth 13 vjeçe. Nuk e di se si kam ardhur e as kush më ka sjellë, por di që kam përfunduar në duart e disa personave, të cilët donin të më shfrytëzonin në rrugë së bashku me 16 vajza të tjera. Mbaj mend se kanë qenë dy çuna, njëri prej të cilëve mbase quhej Arjan dhe një grua. I kam denoncuar dy persona në polici, pastaj mbaj mend se ata më kanë rrëmbyer me forcë dhe më kanë çuar në periferi të Napolit, në një zonë pak të banuar. Duhet të ketë qenë viti 1997 ose 1998. Ata dy persona më torturuan në mënyrën më çnjerëzore dhe fillimisht me këputën gishtin tregues të dorës së djathtë. Donin të më vrisnin pasi më hodhën benzinë, me qëllimin për të më djegur të gjallë... Fatmirësisht në ato momente kishte kaluar një çift italian, që kishte parë skenën dhe menjëherë kishte lajmëruar policinë. Teksa shihnin karabinierët që afroheshin, dy personat më goditën në kokë me levë, pasi e panë që nuk po ia arrinin qëllimit të tyre. Di që kam qenë në koma për gjashtë muaj, pastaj nuk mbaj mend gjë... Më thanë se më kishin çuar në spital në Milano, duke qenë se gjendja ime shëndetësore ishte e rendë. Disa murgesha italiane u kujdesën për mua dhe u përpoqën të më gjenin familjen duke udhëtuar drejt Shqipërisë për të kërkuar prindërit e mi me foton time. Fatkeqësisht nuk e gjetën familjen time. Një çift shqiptar në Itali, që kishin pasur të njëjtën histori me vajzën e tyre, të cilën ua kishin rrëmbyer dhe nuk e dinin se ku e kishin, më dolën përkrah dhe më mbajtën si vajzën e tyre. Pasi kam dalë nga koma m’i kanë prezantuar si prindërit e mi, por unë nuk mbaja mend asgjë... Një ditë dëgjova një debat mes tyre ku ata thoshin që unë nuk isha vajza e tyre. U dëshpërova dhe vendosa të largohem nga shtëpia në Milano dhe erdha në Ankona....”. Ky ka qenë rrëfimi i dhimbshëm i vajzës fatkeqe shqiptare, e cila kishte humbur memorien dhe nuk e dinte se kush ishte. Një bashkëpunëtor i emisionit “Njerëz të humbur” e ka ftuar në shtëpinë e tij për të parë ditën e hënë ritransmetimin e emisionit dhe për të vërejtur reagimin e saj. Teksa është shfaqur fotografia e Aurora Latollarit në ekran, ajo kishte pohuar që “Kjo është fotoja ime, unë e kam një të tillë në shtëpi...”. Gjatë gjithë kohës që trajtohej historia e Aurorës në emision, ajo mbante kokën ulur dhe vetëm dëgjonte zërin e televizorit. Ishte konfuze, e pasigurt dhe si e trembur, thoshte bashkëpunëtori i emisionit. Asaj i binin lotët pasi i kujtohej historia e saj dhe zëri i prindërve të Aurorës kishte filluar t’i “gërricte” memorien e fshirë nga torturat çnjerëzore. “Unë nuk e di se kush jam....”, - kishte pohuar ajo.
Identifikimi dhe gjetja
U desh që të publikohej dëshmia dhe fotografia e kësaj vajze që prindërit e Aurora Latollarit të shpërthenin në lot. Ajo ishte vajza e tyre... Të shokuar nga ajo çfarë i kishte ngjarë dhe fatkeqësia që asaj do t’i duhet të kryejë një terapi të gjatë për t’u rikthyer në normalitet, ata kanë mundur të shqiptojnë një “faleminderit”. Një mirënjohje që u buronte nga zemra për vajzën që e dinin të vdekur, por që tashmë ishte “ringjallur” përsëri. Falënderimi ka qenë edhe nga ana e stafit të Aida Shtinos për të gjithë ata emigrantë shqiptarë në Itali, të cilët kanë mundur të thyejnë tabutë, paragjykimet arkaike dhe të mendojnë se “jo gjithmonë ajo që tregohet me gisht është fajtorja....”.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›