E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Rama “rilind” për së dyti, gjen nënën pas 39 vitesh



Ka gjithmonë një moment në jetën tonë kur ndahemi me njerëzit e dashur, me të cilët na lidh gjaku, dashuria, çaste të shenjta të jetuara plot kujtime të bukura e të hidhura, që na kanë bashkuar më shumë së asnjëherë. Askush nuk mund ta ndalë këtë çast që vjen papritur si rrjedha e një lumi të furishëm që merr përpara ç’të gjejë. Një nënë dhe një fëmijë janë vendosur shpesh në fokusin e emisionit “Njerëz të humbur” sepse janë të shumta rastet kur fëmijë të braktisur që në lindjen e tyre shumë vite më parë, sot në një moshë të rritur, madje shpeshherë të bërë prindër vetë, kërkojnë të njohin atë emër të munguar ndër vite: nënën. Ai nuk e di përse qenia më e dashur që i dha jetën e la të vetëm në shtëpinë ë krijesave të sapolindura e u largua në një rrugëtim të largët nën qiej të rinj të paprekur nga qarjet e fëmijës së saj. Të tillë fat kanë përqafuar mjaft fëmijë jetimë, të cilët janë rritur në të njëjtën shtëpi, disa prej të cilëve kanë pasur fatin e mirë të kenë një familje duke u birësuar nga prindër pa fëmijë. Të njëjtën histori ka edhe një burrë 38-vjeçar, i cili trokiti në “Njerëz të humbur” muaj më parë, me shpresën se do të gjente përgjigjet e pyetjeve: Kush jam? Nga vij dhe cilat janë rrënjët e mia biologjike? Fatmir Rama erdhi në jetë në vitin 1969 në Maternitetin e Tiranës dhe u braktis në po këtë institucion nga nëna e tij. Gjashtë vitet e para të jetës së tij i kaloi në “Shtëpinë e engjëjve pa krahë”, për t’u adoptuar më pas nga një çift më origjinë nga Baldushku. Fatmiri rritet nga dy prindër të përkushtuar, por shumë herët ai mëson të vërtetën e jetës së tij. Edhe pse nuk dyshonte në dashurinë e dy prindërve të mrekullueshëm që e rritën dhe e bënë burrë, sot Fatmiri ka vendosur të kërkojë nënën e tij biologjike. Me trajtimin e parë të historisë së tij në “Njerëz të humbur” mbërritën shumë telefonata nga persona të ndryshëm, të cilët mendonin se dinin copëza nga jeta e nënës së 38-vjeçarit dhe atij vetë. Shumë shpejt u arritën të gjendeshin dy zonja me identitetin e vërtetë të nënës së Fatmirit. Pas verifikimeve rezultoi se nuk ishin as njëra dhe as tjetra nëna biologjike e tij. Me të mësuar këto fakte, Fatmiri u duk se humbi besimin se mund të gjente nënën e tij, por “Njerëz të humbur” dhe Aida Shtino i premtuan atij se do t’ia gjenin nënën në çdo mënyrë të mundshme. Kërkimet dhe trokitjet në shumë porta institucionesh e personash të thjeshtë vazhduan gjatë, deri në momentin para prezantimit për herë të katërt të historisë së Fatmir Ramës të shtunën mbrëma në ekranin e Vizion Plusit, gjithmonë në studion e “Njerëz të humbur”. Fatmiri dukej tejet i emocionuar teksa priste ndonjë lajm pas një muaj kërkimesh. Në mënyrë krejt të papritur, në fillim të emisionit, daja i Fatmirit telefoni dhe dha lajmin e mirë se nëna e tij gjithashtu mezi priste ta takonte, sepse e kishte parë që ai e kërkonte. Gjithçka mbeti në anonimat të plotë për të respektuar familjen e nënës së Fatmirit, e cila sipas të vëllait, kishte lotuar teksa dëgjonte Fatmirin tek citonte i përmalluar fjalët: “Fëmija pa nënë është si njeriu pa kokë”. Lotët e Fatmirit rrodhën lehtë nga faqet teksa atij iu dha lajmi i shumëpritur... Tashmë edhe ai është bashkuar me nënën e tij, për të mos u ndarë më kurrë.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›