E Diel, 1 Nëntor 2026

Ftohja mes Presidentit dhe PD-së, Topi nuk firmos Kodin Zgjedhor

Probleme të vogla teknike, por që kanë sjellë hezitimin e kreut të shtetit, Bamir Topi, për të hedhur firmën mbi dekretin e Kodit të ri Zgjedhor. Në një kohë kur pritej firma e tij mbi ligjin e ri elektoral, z. Topi vendosi dje të kthejë Kodin e miratuar me vota maksimale konsensusi mes partive të mëdha dhe disa aleatë të saj. Fillimisht, përmes një letre drejtuar Kuvendit dhe të bërë publike në faqen zyrtare të internetit të Presidencës dhe pastaj gjatë konferencës për shtyp, kreu i shtetit nxjerr si argument të vendimit të tij mospërmbushjen e afateve për shpalljen e datës së zgjedhjeve. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, sqaroi para mediave vendimin për të kthyer për rishqyrtim në kuvend Kodin Zgjedhor. Ai i kërkon politikës që të llogarisë datën për kohën e zgjedhjeve. Z. Topi argumentoi se "sipas ndryshimeve kushtetuese, ku në grupin negociator kam qenë edhe unë, vlerësohet se zgjedhjet politike bëhen nga 15 marsi deri në fund të qershorit dhe ato lokale në vjeshtë. Në Kod ka një klauzolë që shpreh detyrimin e Presidentit në funksion të kohës për të dekretuar datën e zgjedhjeve. Sipas Kodit, Presidenti është i detyruar që jo më afër se 9 muaj të dekretojë datën e zgjedhjeve. Nëse bëhen llogari të thjeshta, kuptohet se zgjedhjet duhet të zhvillohen në vjeshtë", - sqaroi Presidenti. Kreu shqiptar, duke u deklaruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe duke respektuar ligjin themeltar të shtetit, ktheu në Parlament Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, në hyrje të letrës së tij për Kuvendin Topi lë të nënkuptohet se për të nuk janë pa interes edhe debatet politike të bëra për këtë Kod. Ai thotë se “debatet mbi këtë reformë dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale, i kam vlerësuar si mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe rritjen e standardeve të administrimit të procesit zgjedhor. Një reformë zgjedhore e mirëhartuar dhe ligje elektorale që do të mundësonin një proces të drejtë zgjedhor, do të jepnin garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej, realizimin e aspiratave të tij euroatlantike”.

Topi, i cili ka qenë pjesë e ekipeve negociatore për ndryshimet kushtetuese të 2006-ës kur ishte kryetar i grupit parlamentar të PD-së, nuk u referohet asnjë prej pretendimeve të partive të vogla për Kodin. Duke kërkuar mirëkuptimin e Kuvendit për të ndryshuar mospërputhjet e afateve, kreu i shtetit deklaron se “duke ushtruar kompetencën time kushtetuese, kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj”, - përfundon motivimi i Presidentit të Republikës drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Megjithëse argumentet e Presidentit Topi për rikthimin e Kodit në Kuvend kanë të bëjnë me çështjet teknike të tij, kjo lëvizje mund të konsiderohet nga partitë e vogla që kontestuan deri në grevë urie 9-ditore Kodin e ri, miratuar së fundmi me numër rekord votash, si një mundësi për të rihapur debatin e komisionerëve të KQZ-së.

Argumentet e Presidentit për kthimin e Kodit

Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, vendosi ta kthejë edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 10 019, datë 18.11.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i cili ka mbërritur për shpallje në institucionin e Kryetarit të Shtetit në datën 24.11.2008. Këtë vendim, të cilin Presidenti i Republikës e mbështet në nenin 85, paragrafi 1 i Kushtetutës, ia ka bërë të njohur Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet një letre në të cilën thuhet:

“Reformën zgjedhore, debatet mbi këtë reformë dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale i kam vlerësuar si mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe rritjen e standardeve të administrimit të procesit zgjedhor. Një reformë zgjedhore e mirëhartuar dhe ligje elektorale që do të mundësonin një proces të drejtë zgjedhor, do të jepnin garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej, realizimin e aspiratave të tij euroatlantike. Ligjin e ardhur për shpallje e konsideroj një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për miradministrimin e procesit zgjedhor, por gjej në të arsye për ta kthyer edhe një herë në Kuvend për rishqyrtim.

Arsyeja për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Kështu, neni 9, pika 2 i ligjit ka këtë formulim: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.

Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”. Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëherë periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor.

Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor. Ligji është dërguar për shpallje tek Presidenti i Republikës në datë 24.11.2008 dhe procedura e dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tij, parashikon një periudhë kohore te caktuar, duke krijuar kështu pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor.

Duke ushtruar kompetencën time kushtetuese kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj”, - përfundon motivimi i Presidentit të Republikës drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Kodi, Berisha: Atësia është primare, jo mëmësia

Debati për origjinën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu, shërbeu dje për Kryeministrin Sali Berisha si një kundërpërgjigje për vendimin e Presidentit Bamir Topi për rikthimin e Kodit të ri Zgjedhor në Parlament. Ai bëri një lloj lidhjeje mes debatit për origjinën e nënës së heroit kombëtar me debatin për Kodin e ri Elektoral. Me nota humori, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, z. Berisha iu drejtua gazetarëve: “Ju jeni të interesuar për debatin për Kodin, por kushdo duhet ta ketë të qartë se atësia është vendimtare dhe jo mëmësia. Ka nga ata që mund ta besojnë këtë të dytën, por kudo dhe kurdoherë është atësia e rëndësishme dhe jo vetëm në Shqipëri”.

PDK-ja përshëndet kthimin e Kodit në Kuvend

PDK-ja përshëndeti dje vendimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kthimin në Parlament të Kodit Zgjedhor, për shkak të mospërputhjeve të dukshme antikushtetuese. Nard Ndoka, kreu i kësaj partie, vlerësoi se dekreti presidencial vërtetoi saktësinë dhe drejtësinë e kritikave që PDK-ja dhe disa parti të tjera politike i kanë bërë Kodit të ri Zgjedhor, veçanërisht amendamenteve që u sigurojnë partive të mëdha monopolin mbi procesin zgjedhor. “Greva jonë e urisë për të parandaluar miratimin e një Kodi Zgjedhor të njëanshëm, antikushtetues dhe problematik, ishte forma më e lartë e sakrificës njerëzore dhe politike, por që fatkeqësisht mesazhet e saj nuk u kuptuan dhe nuk u pranuan nga dy partitë e vjetra politike. Partia Demokristiane vlerëson se tani që Kodi Zgjedhor rivjen në Parlament për të bërë ndryshimet e kërkuara nga Presidenti, PD e PS kanë rastin të rikthejnë dinjitetin e Parlamentit dhe të procesit të ardhshëm elektoral, duke marrë në shqyrtim kërkesën e PDK-së dhe të disa partive të tjera parlamentare për hartimin e një Kodi të besueshëm, të drejtë, gjithëpërfshirës dhe konsensual”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›