E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuele: Kosova të jetë krenare për progresin e arritur

BRUKSEL- “Anëtarësimi në BE është çelës për të ardhmen e rajonit. Kosova duhet të jetë krenare për progresin e arritur”, ka thënë Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fuele duke theksuar se në vitin e dytë pas pavarësisë, korniza ligjore është konsoliduar dukshëm dhe është ruajtur stabiliteti politik.

“Vjet Kosova organizoi zgjedhjet e para që u realizuan në mënyrë të rregullt dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve” ka thënë Fuele në një komunikatë.

“Situata e sigurisë, edhe pse e qëndrueshme, është e brishtë. Sundimi i ligjit në tërë Kosovën kërkon përpjekje të mëtutjeshme. Krimi i organizuar, pastrimi i parave, reformimi i administratës publike kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme. Gjatë mandatit tim, pres të shoh nxitje të vazhdueshme për pajtim midis komuniteteve të Kosovës”, theksoi zyrtari i BE-së.

“Rruga është e qartë - shtetet anëtare të BE së e kanë ritheksuar se Kosova ka perspektivë evropiane sikurse edhe rajoni. Tash i takon Kosovës që ta bëjë këtë realitet”, tha Fuele.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›