Fufi, kontrolle në gjendjet civile për pasaportën falso
06/04/2005 TIRANË - Policia e Shtetit do të kryejë hetime paraprake në disa gjendje civile, ku mendohet se i arrestuari Nik Fufi ka nxjerr pasaportën e falsifikuar. Burime të policisë së kryeqytetit thanë se mbi 39-vjeçarin Nik Fufi, një ndër personat që dyshohet se ka qenë i pranishëm në pub "Kalhua", një vit më parë, ku u plagos djali i sekretarit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, përveç akuzave të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve e kundërshtim me dhunë të policisë, rëndon edhe ajo e falsifikimit të dokumenteve. Burime të Komisariatit nr.1 në Tiranë, që kreu arrestimin e Fufit, thanë se ai ishte i dënuar më parë dhe kërkohej nga drejtësia italiane për disa vepra penale, nga të cilat dominon ajo e trafikut të narkotikëve. Ky mendohet të këtë qenë edhe shkaku që Fufi kishte ndërruar emrin e tij. Pasi kishte nxjerr një pasaportë false, ai qarkullonte me emrin Nik Pjetro. Mes sendeve që i janë bllokuar ditën e arrestimit, ku ai u përpoq të arratisej, përmendet një pistoletë, të cilën e hodhi para se të mbërrinte te postblloku i policisë. Gjithashtu është bllokuar edhe dhe makina e tij e tipit "Fuoristrada BMV X5", ngjyrë e zezë, me targa TR 4132 K, të cilat janë sekuestruar dhe mbahen nën cilësinë e provave materiale. Sapo Grupi i Gatshëm i Komisariatit 1, pasditen e datës 1 prill, ka parë fuoristradën e zezë përtej Urës së Peshkatarit, disa kilomentra larg kryeqytetit, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, lajmëroi me radio krerët e komisariatit. Veprimet u koordinuan në një hark të vogël kohor dhe furgoni i grupit të gatshëm u vu në ndjekje të makinës, ndërsa makinat e tjera të policisë krijuan një postbllok në Sauk, ku e arrestuan.