Kriza, Rama letër për Fule
Aristir Lumezi
Kreu socialist Edi Rama informon Komisionerin Evropian të Zgjerimit se situata politike në Shqipëri është përkeqësuar. Përmes një letre drejtuar Stefan Fule, Edi Rama tregon atë që ka ndodhur në Shqipëri pas largimit të tij dhe injorimit nga ana e maxhorancës të porosisë së tij, për transparencë dhe zgjidhje brenda kuadrit kushtetues. Letra nis me shpresën dhe urimin për përfitimin e lëvizjes së lirë për të gjithë shqiptarët, duke renditur më pas shqetësimet e opozitës shqiptare për përkeqësimin e situatës politike. "Ju shkruaj me shpresën se udhëtimi Juaj në Shqipëri ishte një kujtim i bukur për Ju dhe se së shpejti vendi im do të marrë lajmin e shumëpritur të liberalizimit të vizave, duke u bërë pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t'i kalojnë kufijtë e Evropës pa asnjë pengesë", thuhet në letrën e Ramës. Sipas tij, gjendja është rënduar dhe nuk ka asnjë shenjë zgjidhjeje që pritet të vijë nga maxhoranca. "Arsyeja e këtyre rreshtave nuk është ringritja e çështjes tanimë të njohur prej Jush dhe as rirreshtimi i të gjithë argumenteve të opozitës shqiptare, lidhur me domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të shkuara për të shpëtuar nga korrupsioni zgjedhjet e ardhshme. Këtu dëshiroj vetëm të ngre shqetësimin për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes në Shqipëri, si pasojë e anashkalimit brutal të atyre dy elementëve të patjetërsueshme, që Ju i vendosët në mesazhin e vizitës Suaj si piketat bazë të dialogut të domosdoshëm mes forcave politike për zgjidhjen e krizës së sotme politike në vend: Kushtetuta dhe transparenca" theksohet në letrën e kryesocialistit drejtuar komisionerit të BE-së. Rama ripërsërit në letrën drejtuar komisionerit Fule se përmes transparencës opozita nuk kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por kërkon që të mos lejojë që zgjedhjet e ardhshme të kushtëzohen nga ky mekanizëm korrupsioni. Rama shprehet se opozita theu bojkotin e Parlamentit, duke plotësuar dhe një kërkesë të komisionerit Fule, për të bërë realitet transparencën e zgjedhjeve dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e legjislativit, për të mos hequr dorë nga kjo kërkesë. "Lejomëni të nënvizoj se në këtë Parlament, ku hymë e do qëndrojmë me vullnetin për ta bërë realitet transparencën, kutitë zgjedhore mbahen peng nga shumica jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin, që ia heq shumicës të drejtën të kufizojë objektin e hetimit të kërkuar nga pakica, por edhe në kundërshtim me precedentin e legjislaturës së shkuar kur kutitë përkatëse u vunë pa asnjë problem në dispozicion të një komisioni hetimor", shprehet Rama. Në letër nënvizohet se maxhoranca po mban peng transparencën e zgjedhjeve. "Lejomëni të nënvizoj se në këtë Parlament, ku hymë e do qëndrojmë me vullnetin për ta bërë realitet transparencën, kutitë zgjedhore mbahen peng nga shumica jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin, që ia heq shumicës të drejtën të kufizojë objektin e hetimit të kërkuar nga pakica, por edhe në kundërshtim me precedentin e legjislaturës së shkuar, kur kutitë përkatëse u vunë pa asnjë problem në dispozicion të një komisioni hetimor", shkruan Rama. Kryesocialisti mbyll letrën e tij me shpresën se komisioneri Fule do të gjejë vendin dhe kohën për ta riadresuar problemin e transparencës, që siç shkruan ai nuk ka të bëjë me interesin e opozitës shqiptare si palë, po me interesin e shqiptarëve si popull, për të bërë zgjedhje me standardet e çdo populli evropian.
Teksti i plotë i letrës së Edi Ramës
Drejtuar z. Stefan Fule
Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian
Fort i nderuar komisioneri Fule
Ju shkruaj me shpresën se udhëtimi Juaj në Shqipëri ishte një kujtim i bukur për Ju dhe se së shpejti vendi im do të marrë lajmin e shumëpritur të liberalizmit të vizave, duke u bërë pjesë e hapësirës së lirë ku edhe shqiptarët, njësoj si fqinjët e tyre, do të mund t'i kalojnë kufijtë e Evropës pa asnjë pengesë.
Unë Ju falënderoj për ardhjen Tuaj në Shqipëri, për fjalët me të cilat nënvizuat vullnetin e Bashkimit Evropian, për të na bërë pjesë të vetën, po edhe ekzigjencat që ky Bashkim i ngritur mbi parime, vlera e detyrime reciproke ka ndaj nesh.
Arsyeja e këtyre rreshtave nuk është ringritja e çështjes, tanimë të njohur prej Jush dhe as rirreshtimi i të gjithë argumenteve të opozitës shqiptare, lidhur me domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve të shkuara për të shpëtuar nga korrupsioni zgjedhjet e ardhshme.
Këtu dëshiroj vetëm të ngre shqetësimin për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes në Shqipëri, si pasojë e anashkalimit brutal të atyre dy elementëve të patjetërsueshme që Ju i vendosët në mesazhin e vizitës Suaj si piketat bazë të dialogut të domosdoshëm mes forcave politike për zgjidhjen e krizës së sotme politike në vend: Kushtetuta dhe transparenca.
Dhe nuk do ta shkruaja këtë letër, nëse pikërisht gjatë rrugës Suaj të kthimit drejt aeroportit "Nënë Tereza", pas lënies së një mesazhi kuptimplotë për forcat politike shqiptare, shumica parlamentare nuk do të kishte adoptuar në sallën e Kuvendit, madje duke pretenduar se po zbaton porosinë e mesazhit Tuaj, një zgjidhje tërësisht të njëanshme, të pambështetur as mbi Kushtetutën as mbi transparencën.
Sikurse e kemi bërë të qartë në mënyrë të vazhdueshme, përmes transparencës, opozita nuk kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por të mos lejojë që zgjedhjet e ardhshme të kushtëzohen nga ky mekanizëm korrupsioni. I cili, siç e tregon edhe rasti dramatik i të vetmes kuti të hapur deri tash në fshatin e quajtur Ruzhdie, as mund të kapet gjatë monitorimit të ditës së zgjedhjeve dhe as mund të kufizohet në forcën e vet tjetërsuese të vullnetit të zgjedhjeve, nëqoftëse nuk çmontohet paraprakisht. Vetëm transparenca sot, e çmonton këtë mekanizëm nesër.
Lejomëni të nënvizoj se në këtë Parlament, ku hymë e do qëndrojmë me vullnetin për ta bërë realitet transparencën, kutitë zgjedhore mbahen peng nga shumica jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin, që i'a heq shumicës të drejtën të kufizojë objektin e hetimit të kërkuar nga pakica, por edhe në kundërshtim me precedentin e legjislaturës së shkuar, kur kutitë përkatëse u vunë pa asnjë problem në dispozicion të një komisioni hetimor.
Me mirënjohje për angazhimin Tuaj në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe urimin që misioni Juaj në krye të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian të jetë plotësisht i suksesshëm, Ju falënderoj për vëmendjen që i kushtuat rreshtave.