E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i PSE me Metën: Në qershor shqiptarët do lëvizin pa viza



Presidenti i Partisë Socialiste Evropiane, Poul Narup Rasmussen, deklaroi dje nga Sarajeva se shqiptarët do të lëvizin nga qershori pa viza në hapësirën shengen. Deklarata e Rasmussen u bë gjatë Konferencës për Ballkanin e Partisë Socialiste Evropiane me temën "Shoqëritë Progresiste në Ballkan". Rasmussen paraqiti vizionin e PSE-së për zhvillimin dhe integrimin e rajonit, duke theksuar se në muajin qershor 2010 qytetaret e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës do të lëvizin pa viza drejt Bashkimit Evropian. "Në qershor të 2010-ës qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës do të lëvizin pa viza drejtë Bashkimit Evropian", tha Rasmussen. Ndërkaq, zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi në këtë konferencë se kritikët në Shqipëri nuk mund të pengojnë rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. "Unë jam i vendosur që pavarësisht kritikave të artikuluara prej disa zërave pa ndikim në vendin tim, të vazhdoj më me këmbëngulje dhe vendosmëri për të përballuar sfidat evropianizuese dhe për të krijuar realitete të standardeve evropiane edhe në bashkëpunimin mes shqiptareve dhe serbëve", tha Meta. Sipas Metës, bashkëpunimi rajonal është një domosdoshmëri për të ndërtuar së bashku të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, gjë që kërkon vizion të qartë dhe guxim politik. Ai evidentoi si tejet të rëndësishëm faktin që procesi i integrimit të rajonit duhet të vazhdojë pa ndërprerje dhe qytetarët e rajonit të prekin rezultatet e këtij procesi, veçanërisht lëvizjen e lirë drejt BE-së. Meta theksoi se qeverisja progresiste për rajonin e Ballkanit do të thotë garantimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, punësimi dinjitoz për qytetarët, shërbime më cilësore për ta dhe veçanërisht për moshën e tretë. Gjithashtu, kreu i LSI-së theksoi nevojën për t'u fokusuar në projekte konkrete të përbashkëta të infrastrukturës, të cilat do t'i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›