E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili shkarkon Mukën, Starova trajneri i Tiranës



Leonard Karaj

Sulejman Starova është trajneri i ri i Tiranës. Lajmi është dhënë dje nga presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili. Ky i fundit, pas një mbledhje dje me skuadrën "shkarkoi" formalisht, Devi Mukën nga posti i trajnerit dhe si fillim emëroi në vend të tij ndihmësin, Luan Sengla. Por në orët e vona të mbrëmjes, njëshi bardheblu bëri lëvizjen surprizën duke kthyer në pozicionin që mbante më parë Senglën dhe duke emëruar ish-krahun e tij të djathtë në zgjedhjet për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Halili ishte njëri prej tre kandidatëve, Sulejman Starovën. Kjo është hera e tretë që Starova drejton skuadrën e Tiranës. Për herë të parë, ai e mori këtë ekip në kohën kur në drejtim ishte katriada bardheblu (Nuri-Halili-Ngjela-Papuli) në sezonin 2004-2005. Edhe atëherë Starova e mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Luan Zenglës (këtë herë mendohet se Sengla do të qëndrojë si ndihmës/trajner). Me Starovën në krye në atë sezon, Tirana fitoi titullin kampion duke grumbulluar një rekord pikësh, 84 në 36 javë (26 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje). Por Starova u largua pas eliminimit nga Kupa e Kampioneve. Emri i tij nuk do të përmendej më te Tirana deri në fund të sezonit 2006-2007, ku Tirana doli sërish kampion, por e drejtuar nga Mirel Josa, si fillim, dhe nga Shkëlqim Muça më pas. Në fillim të 2007-2008, donatorët vendosën që ekipin t'ia besonin Sulejman Starovës, por ky i fundit arriti të qëndronte vetëm 3 javë në krye të skuadrës. Divergjencat e shumta mes tij dhe donatorëve sollën edhe largimin e teknikut. Kjo është hera e tretë që Starova drejton Tiranën.
Lëvizjet te bardheblutë vijnë në momentin më të vështirë gjatë këtij sezoni, pasi tashmë Tirana e sheh veten jashtë kupave të Evropës. Ndërkohë, drejtori teknik, Alban Tafaj paralajmëron një revolucion në formacion. Sipas tij, te bardheblutë ka ikur koha që luhet me emra dhe tashmë do të aktivizohen vetëm ata lojtarë që janë në formë të mirë sportive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›