Fule: Lodhja e BE-së nga zgjerimi është mit
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, tha se bisedat se BE-ja është e lodhur dhe heziton që të pranojë anëtarë të tjerë, janë mit.
Kam dëgjuar shumë për këtë lodhje, por për mua kjo është mit, tha Fule dhe shtoi se ky mit duhet të luftohet së bashku nëpërmjet reformave që sjellin të mira për popullin.
Këto komente Fule i bëri sot, nëpërmjet një kumtese, me çrast shpalli se në fund të kësaj jave, së bashku me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, do ta vizitojnë Kroacinë, Bosnjë Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Barroso ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i takojnë Bashkimit Evropian, por ka tërhequr vërejtjen se kjo varet nga aftësitë e vendeve për ti zhvilluar reformat.
Burime në Bashkimin Evropian kanë thënë se Barroso dhe Fule, në vjeshtë, planifikojnë ta vizitojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë. /rel/