E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Nuk do të ketë vonesa për heqjen e vizave me Shqipërinë

Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur pjesën më të madhe të kushteve

Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Stefan Fule, deklaroi dje se shpreson që politika në Shqipëri do të gjejë një zgjidhje kompromisi për ti dhënë fund ngërçit politik, përpara se Parlamenti dhe Këshilli Evropian të marrin vendimin mbi heqjen e vizave, një proces që nuk do të ketë asnjë vonesë. Duke folur në konferencën mbi përshpejtimin e integrimit të Ballkanit në BE, e organizuar nga EU Observer, zoti Fule tha se Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur pjesën më të madhe të kushteve të udhërrëfyesit për vizat, ndërsa dy apo tre çështje të tjera janë të menaxhueshme dhe brenda një periudhe të shkurtër mund të implementohen dhe vëzhgohen nga një komision monitorues. Komisioni monitorues mendohet se do të jetë i pranishëm në të dyja këto vende diku nga korriku i këtij viti, kështu që vendimi do të merret më pas. Por duke folur me përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe të Parlamentit Evropian kam ndjenjën, besimin se pasi komisioni monitorues do të konfirmojë se janë përmbushur të gjitha kushtet, i gjithë udhërrëfyesi është implementuar në masën 100%, askush nuk do të kërkojë të vonojë këtë çështje një orë apo një ditë më tepër, - tha ai. Lidhur me situatën politike në Shqipëri, zoti Fule u shpreh se ka një ngërç, për të cilin po punohet për krijimin e një strukture për arritjen e një kompromisi. Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje, për të gjetur një kompromis nga të dyja palët, përpara se PE dhe Këshilli të marrin vendimin për heqjen e vizave. Shpresoj që nuk do të na duhet të bezdisemi nga fakti se dikush mund të bëjë një lidhje midis politikës në një vend dhe vendimit për heqjen e vizave, - ka shtuar Fule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›