E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Pas GJND-së, kapitull i ri për Kosovën

Pavarësisht opinionit që do të dalë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Kosovën do të ketë njohje të reja dhe do të hapet një kapitull i ri, ka thënë të premten kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, dhe vlerësoi se vendimi i GJND-së është i shumëpritur nga institucionet dhe qytetarët e vendit, por edhe nga gjithë faktori ndërkombëtar.

Sipas Thaçit, Kosova po i afrohet ditës kur do të prezantohet opinioni i GJND-së për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, dhe se pas këtij opinioni pritet të ketë ecje përpara, njohje të reja dhe proces shumë më të shpejtë të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Pavarësisht nga opinioni që do të prezantohet nga Gjykata Ndërkombëtare për Kosovën do të ketë njohje dhe do të hapet kapitulli i ri, kapitulli i integrimeve për shtetin e Kosovës. Por, institucionet e Kosovës janë përgatitur jashtëzakonisht mirë për të pritur këtë opinion dhe t’i përgjigjen situatës dhe rrethanave të reja që do të kemi me njohje të reja që do të ndodhin”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, ai ka theksuar si zakonisht sukseset e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se pas suksesit të arritur me fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare dhe suksesit të jashtëzakonshëm për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës, tani janë edhe tri projekte të rëndësishme për të cilat do të merret vendimi shumë shpejt.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi, se i gjithë procesi është duke shkuar sipas agjendës së planifikuar, mund të them pa e humbur asnjë ditë të kësaj agjende, apo të këtij plani. Në javën e ardhshme merret vendimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për privatizimin e PTK-së dhe menjëherë ky vendim do të prezantohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku do të kërkohet mbështetje nga Kuvendi, një opinion, një mbështetje e plotë”, ka thënë ai.

Po ashtu, sipas kreut të ekzekutivit, është duke vazhduar me agjendë të planifikuar në përpikmëri edhe procesi i Termocentralit “Kosova e Re”, që do të sigurojë 24 orë energji dhe procesi i distribuimit të KEK-ut, që është duke u punuar në një plan të paraparë që në fillim të vitit.

Sa i përket programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ka thënë se është duke u punuar maksimalisht dhe tani janë duke u bërë konsultat përfundimtare për mënyrën e përmbylljes së këtij procesi.

Ndryshe në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar planin e veprimit për partneritet evropian, kornizën afatmesme të shpenzimeve 2011-2013 dhe pesë projektligje, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rishikimin e buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010, Projektligjin për ujërat e Kosovës dhe Projektligjin për dhënien në shfrytëzim këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Ndërkohë, për shkak të nevojës për konsultime shtesë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin e normës së akciës në Kosovë është lënë të miratohet në mbledhjen që do të mbahet të hënën.

Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi përfundimtar për shpronësimin e tokave, pronave të paluajtshme në të cilat realizohet projekti i autostradës Vërmicë-Merdare dhe projekt-strategjia për pronësi intelektuale dhe plani i veprimit 2010-2014, ndërkohë janë ndarë 6 mijë euro për financimin e festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” dhe 50 mijë euro për zhvillimin e hetimeve për identifikimin e një lokacioni ku dyshohet se janë në varrezë masive rreth 20 trupa të shqiptarëve.

(Kosovapress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›