Fule: Përmbyllni me qetësi zgjedhjet, dialog për integrimin
Retorika konfrontuese mundet vetëm të rritë tensionin në vend. Procesi elektoral duhet të përmbyllet me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me fokus në të ardhmen. Këto ishin mesazhet që Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi dje në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Ai insistoi në faktin se Brukseli i kishte parë zgjedhjet e majit si mundësi që i paraqitej vendit për të tejkaluar rrugën qorre në të cilën ishte futur. “Përgatitja e zgjedhjeve dhe votimi gjatë 8 Majit ishte në përgjithësi i qetë, pavarësisht disa momenteve dhe procesi u konstatua nga vëzhguesit si pozitiv. Numërimi, pavarësisht shtyrjeve dhe ndërprerjeve në disa raste, ishte konsideruar se funksionoi përgjithësisht mirë dhe se ishte transparent”, u shpreh Fule. Fatkeqësisht, vijoi ai, një situatë shumë e vështirë u krijua si rrjedhojë e problemeve në tabulimin e rezultateve në Tiranë. Fule u shpreh se ka vërtet interpretime të ndryshme sa i takon të ashtuquajturave vota të hedhura gabimisht. Duke cituar raportin e OSBE/ODIHR-it më 20 maj, Fule tha se “Kodi Zgjedhor nuk e sanksionon drejtpërdrejt vlefshmërinë e fletëve të gjendura në një kuti tjetër nga ajo që korrespondon me llojin e zgjedhjeve për atë votim. Nuk parashikon as ndonjë procedurë për rivlerësimin e fletëve të gjetura në kuti tjetër”. Komisioneri iu referua deklaratës së bërë nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës në letrën dërguar kryeministrit Sali Berisha. “Ai nënvizon se ndarja politike është më e thellë dhe mund të kërcënojë funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë dhe progresin e mëtejshëm ekonomik. Ai fton partitë politike të nisin një dialog për mënyrën sesi të tejkalojnë ngërçin politik, ndërsa njofton për qëllimin e tij për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një opinion sesi mund të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Fule. Nuk mundem ndryshe, vijoi ai, veçse të ritheksoj këtë mesazh. Në vlerësimin e tij retorika konfrontuese mundet vetëm të rritë tensionin në vend. “Procesi elektoral duhet të përmbyllet me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me fokus në të ardhmen. Është evidente se një reformë gjithëpërfshirëse e Kodit Zgjedhor është e nevojshme dhe se duhet të kryhet nga partitë në qeverisje dhe ato në opozitë së bashku me shoqërinë civile. Kjo mund të arrihet vetëm nëse partitë politike dhe ju, politikanët që përfaqësoni qytetarët e Shqipërisë, të gjeni rrugën të bashkëbisedoni dhe të merrni vendimet e duhura në interes të vendit dhe qytetarëve tuaj”, insistoi Fule. Zyrtari europian nuk harroi të thotë se ka raste nga e kaluara kur politikanët shqiptarë kanë qenë të aftë të arrijnë progres. Për ta ilustruar këtë, Fule përmendi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, apo edhe marrëveshjen për liberalizimin e regjimit të vizave. “Ju mund të keni divergjenca politike në mendime dhe në pozicione, por duhet të bashkoni këto energji në mënyrë konstruktive për interesin e vendit”, argumentoi Fule. Duke u ndalur te kërkesat e bëra në opinionin e Komisionit Europian vitin e shkuar, komisioneri insistoi se vlerësimi mbi to do të reflektohet edhe në progresraportin e mesit të tetorit të këtij viti. Në këtë linjë, Fule kujtoi se mungesa e dialogut dhe ngërçi vazhdon të ndikojë në funksionimin e Parlamentit, ligjet që kërkojnë shumicën e cilësuar janë ende të bllokuara. “Emërime të rëndësishme, si ai i Avokatit të Popullit, apo në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, janë në pritje. Nuk mundem ndryshe veçse të ftoj edhe njëherë opozitën të marrë pjesë në aktivitetet parlamentare dhe t’i përdorë institucionet për të realizuar objektivat e saj politike”, insistoi Fule. Ndër të tjera, ai vlerësoi se garantimi i shtetit ligjor mbetet një sfidë për Shqipërinë dhe se duhet bërë progres për të kompletuar reformën ligjore në sistemin e drejtësisë. “Mbeten mangësi substanciale sa i takon pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë. Në luftën ndaj korrupsionit, masat ligjore dhe institucionale janë marrë, por duhet garantuar zbatimi i plotë i tyre”, paralajmëroi Fule.