E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule, telefonon Berishën dhe Ramën për krizën

Autori i Lajmit: Redaksia
Greva e urisë së opozitës po përkeqëson situatën në Shqipëri. Kështu është shprehur komisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fule. Ai tha se i ka bërë të qartë kreut socialist se do të mbajë përgjegjësi personale për shëndetin e njerëzve të ngujuar në grevë urie. Stefan Fule ka bërë thirrje për zgjidhje dhe funksionimin normal të Parlamentit. "Kam qenë në kontakt me Kryeministrin dhe eksponentë të Partisë Socialiste dhe u bëra edhe një herë thirrje atyre për të gjetur një zgjidhje, për të pasur sërish një Parlament funksional e kështu të lejojnë komisionin të jetë më pozitiv për sa i përket vlerësimit për Shqipërinë. Greva e urisë po përkeqëson situatën, se ia kam bërë të qartë zotit Rama se ai do të mbajë përgjegjësi personale, nëse shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve përkeqësohet", - deklaroi Fule. Deklaratat komisioneri evropian për Zgjerimin i bëri pas takimit të komitetit ndërparlamentar, Shqipëri-BE, e stabilizim-asociimit. Ndërkohë, në këtë takim të mbajtur në Bruksel, Fule vlerëson situatën ekonomike në Shqipëri, por kërkon më shumë përpjekje për sa u përket reformave në gjyqësor, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Telefonatat
Komisioneri për Zgjerim në Bruksel, Stefan Fule, këshilloi dje se Shqipërisë i nevojiten reforma konkrete, ndërsa komentoi si jopozitive situatën politike në vendin tonë.
“Situata nuk ka ndryshuar, është përkeqësuar dhe, derisa një zgjidhje të mos gjendet, të gjitha partitë politike mbajnë përgjegjësi. Kjo nuk do të krijonte një atmosferë pozitive, teksa ne po finalizojmë opinionin tonë për Shqipërinë”,- deklaroi Fule. Në vazhdim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në vendin tuaj nevojiten reforma konkrete, masa të reja. Duke i mëshuar mesazhit se Shqipëria duhet të punojë fort për reformat, Fule solli si shembull pikërisht implementimin e strategjisë antikorrupsion. "Shqipërisë i duhet të implementojë rigorozisht legjislacionin dhe strategjinë antikorrupsion, si dhe një kuadër ligjor në lidhje me luftën e krimit të organizuar dhe të sigurojë kapacitete të mjaftueshme. Në të dyja fushat duhen arritur rezultate konkrete dhe të arritshme", - vazhdoi Fule në Komitetin Parlamentar të Stabilizim- Asociimit Shqipëri- BE.

Fule: “Të vazhdojnë reformat për heqjen e vizave”

"Kam mirëpritur hapat e parë të ndërmarrë deri tani nga Shqipëria për të informuar qytetarët e saj për lëvizjen pa viza. Duhet të nënvizoj rëndësinë e këtij hapi për të evituar ndonjë përsëritje të ndodhur së fundi në disa vende të rajonit. Mendoj se duhet të jemi optimistë dhe se Shqipëria duhet të vijojë me ndërmarrjen e reformave të tjera dhe të adresohet në ndërmarrjen e reformave më të gjera për të luftuar ekonominë informale. Ka pasur rritje të ekonomisë në këto dy vitet e fundit dhe parashikohet rritje dhe në të ardhmen, krahasuar kjo me vendet fqinje dhe ato evropiane. Kjo është mbresëlënëse dhe duhet ta pranojmë. Shqipëria duhet të vendosë të zbatojë një strategji për reformën në drejtësi, sepse duhen më shumë përpjekje që proceset gjyqësore të mos zvarriten tej afateve ligjore, si dhe të respektohet parimi i paanshmërisë, transparencës, pavarësisë dhe besueshmërisë. Kjo është dhe një nga kërkesat e hershme dhe në kuadër të stabilizim-asociimit me Shqipërinë. Shqipëria duhet të ecë përpara me zbatimin e ligjeve, me planin, aksionet dhe strategjinë e antikorrupsionit dhe ndërmarrjen e hapave konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe të jetë eficente në hetimin dhe gjykimin e proceseve. Në të dyja këto fusha duhet të arrihen rezultate konkrete. Situata nuk ka ndryshuar, është përkeqësuar. Derisa zgjidhja nuk gjendet, të dyja forcat politike ndajnë të njëjtat përgjegjësi. Kjo nuk është një situatë pozitive, ndërsa po përgatitet opinioni për Shqipërinë”, - tha Fule.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›