E Shtunë, 31 Tetor 2026

GREVA E OPOZITES Rëndohet gjendja shëndetësore e grevistëve

Autori i Lajmit: Lorena Killo
Gjendja shëndetësore e njëzet e një deputetëve grevistë dhe 180 mbështetësve të tyre sa vjen e përkeqësohet. Ata vazhdojnë të qëndrojnë në çadrat e vendosura para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në kuadër të protestës së nisur në datën 30 prill, në betejën për përmbushjen e kauzës për transparencën e votave. Që në orët e para të mëngjesit janë shfaqur shqetësime nga grevistët për sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore. Më pas, rreth orës 11: 30, një nga grevistët ka shfaqur shqetësime të mëdha dhe i është dashur të lërë grevën për tu nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, nën kontrollin e plotë të mjekëve. Të shqetësuar për këtë gjendje, që sa vjen dhe po rëndohet, nuk kanë qenë vetëm ata që janë brenda kësaj greve, por edhe ata që i mbështesin ata në këtë sakrificë. Grevisti është Ramazan Caka, qytetar i Elbasanit, vuante nga diabeti dhe kishte rënie të sheqerit në gjak.
Dy orë më pas nisen drejt Spitalit Ushtarak dy grevistë të tjerë
Dy orë më pas, dy grevistë janë transportuar për në spital për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Rreth orës 14:20, Romeo Sina pësoi gjendje të fikëti dhe shtabi mjekësor i protestës vendosi dërgimin e tij me urgjencë për në spital. Sina shfaqi shenja të rënies së tensionit, marrje mendsh e më pas gjendje të fikëti. Transportimi i grevistit për në spital është kryer në prani të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili më herët ka takuar grevistët dhe është interesuar për gjendjen e tyre. Në një prononcim për mediat, deputeti grevist i PS për qarkun e Elbasanit, Agim Leka, shprehet se ata janë të vendosur për ti shkuar deri në fund sakrificës së tyre për votën e lirë. “Sali Berisha të kuptojë që ne po bëjmë një sakrificë në emër të të drejtave të njeriut, në emër të një demokracie me standarde evropiane. Dhe për të arritur këtë, gjëja më e thjeshtë që duhet të bëjë Kryeministri i Shqipërisë, është të hapë kutitë”, - u shpreh Leka.
Incident në Spitalin Ushtarak
Burime të brendshme pranë selisë rozë bënë të ditur për gazetën “Ballkan” se menjëherë pas shtrimit të tre grevistëve në spital, i ka vizituar drejtori i spitalit të QSUT-së, Ilir Dashi, i cili u ka dhënë mbështetjen e plotë grevistëve nga personeli i mjekëve. Por grevistët, duke qenë të irrituar nga deklarata që vetëm dy ditë më parë ka dhënë shefi i Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, se “nuk mund tu shërbejmë grevistëve që bëjnë grevë pa marrë leje”, kanë dhënë ultimatum që askush nga ana e mazhorancës të mos bëjë vizita pranë tyre. “Nuk duam vizita nga ata që na detyruan të vijmë këtu”, - janë shprehur ata. Sipas tyre, këto vizita janë provokime të radhës. Ndërkohë që një ditë më parë kryeparlamentarja Topalli ka vizituar pranë këtij spitali deputeten socialiste nga Durrësi, Klodiana Spahiu.
Brokaj: “Diabetikët, urgjent të ndërpresin grevën”
Duke përshkruar situatën e grevistëve, Brokaj tha se “gjendja shëndetësore është më e rënduar dhe lidhet drejtpërdrejt me kohëzgjatjen e një greve jashtëzakonisht strikte”. Sipas tij, momentet më kritike u manifestuan te deputetja Klodiana Spahiu, e cila ishte e para që dha shenjat e para dhe u shtrua në spital me komplikacione në stomak. Brokaj tha se rekomandonte daljen nga greva të të gjithë diabetikëve, ndërsa në përgjithësi tek të gjithë grevistët vihen re shenja të uljes së tensionit.

Mjekja e grevistëve

“19-vjeçari nga Vlora rrezikoi jetën”

Mjekja Alketa Hila, e cila ndjek nga afër gjendjen e grevistëve të urisë në bulevardin kryesor të Tiranës, doli para medias, duke sqaruar se gjendja e pjesëmarrësve në këtë grevë-protestë është e rëndë. Mjekja Alketa Hila sqaroi problemet shëndetësore që ka pasur dje një 19-vjeçar nga Vlora, i cili u dërgua në spital, pasi pati probleme me shëndetin në grevën e urisë. “Nuk dal si mjeke, dal si nënë e dy fëmijëve, si grua. Zonja kryetare e Parlamentit shkon e takon një deputete në spital, ndërkohë që e detyron vetë atë deputete të shkojë atje. Me pak fjalë, një student nga Vlora, vetëm 19 vjeç, nuk do të flas me gjuhën profesionale, por do të flas me gjuhën e një nëne, vjen e paraqitet pranë nesh me shqetësime, me marrje mendsh. Kuptohet është normale, kaloi 72-orëshi, kanë mungesë lëngjesh, nuk kanë pranuar asnjëri mjekim”,- tha mjekja Alketa Hila. Ajo sqaroi se grevisti u paraqit tek mjekët dhe humbi ndërgjegjen. “Fillon cianozë, fillon nxirrje e buzëve, e veshëve, humb ndërgjegjen. Në moment manipulohet me frymëmarrje artificiale. Pas manipulimit artificial, fillon menjëherë respiracion spontan që ndodh gjithkund. E marrin dhe e fusin djalin brenda për ti bërë manipulim me serumin, i çahen venat, përfundimisht vetëm një mrekulli. Një mrekulli, e lë ta dëgjojnë të gjithë këta që janë andej e këtej, ishte vetëm 19 vjeç”,- tha mjekja.
“Për grevistët e tjerë mund të them vetëm se gjendja po agravohet dhe kjo nuk është normale”,- sqaroi ajo.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›