E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Bankat e kaluan rrezikun, të japin kredi

 nertila mahoGuvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka inkurajuar bankat, që të mbë-shtesin klientët e tyre me kredi, duke e cilësuar këtë si një nga mënyrat më efikase në dobi të financave të tyre. I pranishëm në pritjen e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me rastin e mbylljes së vitit, guvernatori theksoi se kriza shfaqi një sërë fenomenesh negative në sistemin bankar dhe vetëm me kalimin e kohës pasojat dhe vështirësitë arrijnë të administrohen. “Gjatë vitit 2009, sektori ynë bankar u përball me një situatë unike dhe sfiduese. Kriza ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, ndikoi dukshëm në besimin e publikut ndaj sektorit tonë bankar”, u shpreh Fullani. Ai siguroi se tashmë goditja afatshkurtër në sistem është kaluar, por që ende situata nuk është e qartë. Duke iu referuar edhe njëherë krizës guvernatori iu kujtoi bankave se menaxhimi i situatës së likuiditetit pakësoi kreditimin, duke përkuar kështu edhe me vështirësi më të theksuara në sektorin real të ekonomisë, i cili ka ndikuar në kërkesën për kredi, por që sipas tij kjo duhet të ndryshojë. ”Mbështesni klientët tuaj dhe të vazhdoni kreditimin e huamarrësve të besueshëm, pasi kjo është e dobishme për klientët tuaj, për ju dhe për gjithë ekonominë. Jam i bindur se keni mundësi reale për ta bërë këtë në kushte konkurruese, veçanërisht për kreditë në monedhën kombëtare”, tha Fullani. Nga ana tjetër, ai ka nxitur bankat për një studim më të hollësishëm të tregut dhe klientëve. “Kreditimi kërkon më shumë punë dhe analizë jo vetëm nga zyrat, por edhe në terren. Kërkon njohje të thellë të klientit dhe ndjekje të tij dhe të tregut, sepse ai është vital për bilancet e bankave dhe aktivitetin ekonomik të vendit” tha guvernatori. Ai vuri në dukje se një rivlerësim i të objektivave dhe i modeleve të zhvillimit për secilën bankë, do të siguronte një aktivitet të vazhdueshëm, të qëndrueshëm dhe fitimprurës. Sipas guvernatorit 77% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendin tonë e zë sektori bankar me aktivitetin e tij dhe ky sektor numëron sot 16 banka, të gjitha me pronësi private, ku mbizotëron kapitali i huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›