E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau dy policët në Kukës, dënohet me burg përjetë

 Armand BajramiVrasja e dy punonjësve të policisë së Kukësit, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, në mars të këtij viti, do t'i kushtojë burg përjetë Afrim Hasanit. Gjykata për Krimet e Rënda e deklaroi fajtor dje të pandehurin Hasani për vrasjen e policëve dhe për akuzat e tjera të ngritura ndaj tij. Nga kafazi i sallës së gjyqit, Afrim Hasani e priti i qetë vendimin e togave të zeza që rrezikon ta mbyllë përjetësisht në qeli. Vendimi i djeshëm erdhi vetëm një javë pasi Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar këtë masë dënimi për Hasanin.Sipas prokurorisë, Hasani ishte ekzekutori i policëve dhe se motiv i ngjarjes ishte një kallëzim i bërë nga punonjësit e policisë në drejtim të tij. "Konflikti i krijuar me punonjësit e policisë dhe kallëzimi i bërë nga Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj në Prokurori, ka qenë motivi i vetëm që ka shtyrë te pandehurin Afrim Hasani të kryente aktin kriminal të 23 marsit 2009", thuhej në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.Kronologjia e ngjarjeve që përfundoi me vrasjen e dy punonjësve të policisë ndodhi në një hark të shkurtër kohor në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Më 16 mars të këtij viti, ai shkaktoi disa dëme materiale në një lokal në fshatin Shën Mëri. Denoncimit të këtij akti në polici iu përgjigjën policët Dobrushi dhe Hilaj, të cilët u vunë në ndjekje të Hasanit. Ndërsa e kishin ndaluar në lidhje me këtë ngjarje, Hasani u konfliktua fizikisht me ta dhe mundi të largohej. Për këtë arsye dy policët bënë një kallëzim penal ndaj tij dhe pak ditë më pas ata bënë një kontroll fizik në banesën e Hasanit, ndërsa nuk gjetën aty Afrim Hasanin. Sipas prokurorisë, në shenjë hakmarrjeje Afrim Hasani ndërmori aktin kriminal të 23 marsit, duke derdhur breshëri automatike mbi trupat e policëve. Sipas prokurorisë, pas ekzekutimit të policëve, Hasani i telefonoi familjarëve të tij ku pranonte krimin dhe u thoshte të ruheshin nga gjakmarrja. Gjatë procesit, prokuroria ka paraqitur më shumë se 25 dëshmitarë që tregojnë se autori i krimit është Afrim Hasani, ndërsa në dosje u administruan edhe ekspertimet përkatëse shkencore për faktimin e akuzës. Dëshmitarët gjithashtu kanë pohuar mosmarrëveshjet që ekzistonin para krimit, mes Afrim Hasanit dhe dy efektivave të policisë për shkak të denoncimit që ata kishin bërë ndaj tij në Prokurori. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›