Reforma Zgjedhore, Leskaj: Mllefi nuk është alternativë
Tiranë- Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj i ka quajtur sot krejt normale kundërshtitë dhe mospajtimet brenda spektit të përfaqësimit politik për reformën zgjedhore, duke garantuar vullnetin e partisë që përfaqëson për dialog.
Partia Socialiste, sipas saj ka hyrë në këtë proçes për t'u dhënë shqiptarëve shansin e shumëpritur të një votimi të padeformuar, të tjerë duan të nxjerrin nga ky proçes kapitale politike, ndërsa të tjerë akoma duan të imponojnë dështimin e proçesit. Ajo ka theksuar se për socialistët kjo nuk është loja politike e rradhës për të siguruar karriget e rradhës, po angazhimi përpara qytetarëve që na njohin të gjithëve në atë kuvend dhe meritojnë shumë më shumë se të gjithë ne deputetëve. “Ne kemi qenë e do të jemi të gatshëm të dialogojmë vijimësisht me të gjithë dhe nuk kemi akuzuar e fyer askënd që ka pikëpëpamje të ndryshme nga tonat, sepse qëllimi ynë nuk është të imponojmë një qëndrim tonin në dëm të dikujt, po të formulojmë një qëndrim sa më të drejtë në interes të publikut”- tha ajo, gjatë një deklarate për shtyp.
Mospajtimet për reformën, për të janë normale, pasi bëhet fjalë për një reformë të rëndësishme, e cila prek drejtëpërdrejt stereotipe të krijuara dhe interesa të caktuara. As në eksperiencat më të mira perëndimore, sipas saj nuk figurojnë raste konsensusesh me 100 % kur është fjala për reformën zgjedhore.
“Në proçesin e kësaj reforme, ne socialistët kemi mbajtur e do të mbajmë deri në fund parasysh interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve, që vota të shkojë aty ku e jep votuesi; që çdo parti të peshohet nga zgjedhësit, jo të rritet apo zvogëlohet artificialisht, siç ka ndodhur 17 vjet me rradhë; që mes zgjedhësve e të zgjedhurve të krijohen kushtet e një kontrate të qartë bazuar mbi programin, ekipin e liderin më të votuar dhe të mos ketë më as xhuvelizëm, as informalizëm parlamentar në kurriz të njerëzve e të vendit”- tha Leskaj, duke shtuar se zgjedhësit nga parlamenti duan zgjidhjet e munguara për vite me rradhë, jo shfaqjet e padenja të gjithë këtyre viteve.
Secila palë, ka vijuar më tej ajo, ka të drejtën e saj të këndvështrimit e të reagimit, të diskutimit e të propozimit, të të qenit pro apo kundër, draftit të Kodit të ri Zgjedhor, po të gjithë bashkë kemi detyrimin të respektojmë ata që na kanë zgjedhur, duke ruajtur etikën e komunikimit dhe duke rritur cilësinë e kulturës parlamentare.
Sipas saj, socialistët në këtë pikë kanë argumentet e tyre , të tjerë kanë argumentet e tyre. “Le ta kuptojnë kolegët tanë parlamentarë se mllefi nuk është alternativë, se një qëndrim nuk imponohet me zor, por me argumenta, ashtu siç duhet ta kuptojnë edhe kundërshtarët tanë qeveritarë se duke bërë diversion me emrin e Partisë Socialiste, nuk bëjnë tjetër veçse tregojnë atë që dimë të gjithë, primitivizmin e tyre politik”- përfundoi ajo.