E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e kredive të këqija, nga kreditimi në euro dhe rënia e remitancave

Guvernatori, thirrje bizneseve të marrin kredi për ringjalljen e ekonomisë


Rritja e numrit të kredive të këqija gjatë vitit 2009 erdhi si pasojë e kreditimit në euro dhe ndryshimit të kursit të këmbimit dhe uljes së dërgesave nga emigrantët. Nga ana tjetër ekonomia në tersi ka pasur një rritje të ngadaltë vetëm me 3 për qind. Ndërkohë që normal inflacionit është mbajtur në nivelet e parashikuara. një tjetër probleme shqetësues mbetet

mungesa e kërkesave për kreditim nga ana e biznesit duke sjellë dhe bllokimin e tyre. Problemet janë evidentuar nga Guvernatori i bankës së Shqipërisë Ardian Fullani gjatë raportimit të përvitshëm në Komisionin e Ekonomisë. Sipas Fullanit bankat në vend janë të garantuara dhe kanë mundësi kreditimi, por gjithçka vendoset nga kërkesa dhe oferta në treg.


Kreditë
Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë vitit 2009 është rritur numri i kredive të këqija. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të kija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Ndërsa në periudha tremujore të dhënat  zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 10 për qind të totalit nga 8 për qind që ishin në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja progresive e kredive me probleme ka nisur që në vitin 2007 dhe vijon në pësojë vetëm rritje. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kreditë me probleme janë dyfishuar, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit 2007 rritja është më shumë se tre herë. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga gjithë kredia e dhënë për ekonominë në vite është korrekte dhe shlyhet rregullisht vetëm 82 për qind e saj. Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga banka qendrore mësohet se brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija. Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.


Kredi për individë
Rreth 59 për qind e kredive të marra në bankat e nivelit të dytë janë marrë nga kryeqytetasit. Brenda kredisë për individë, kredia konsumatore figuron e shpërndarë njëtrajtësisht në rrethet e tjera, përveç kryeqytetit. "Ndërkohë, kredia hipotekare është e përqendruar. Rreth 85 për qind e saj është dhënë në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, duke reflektuar përqendrimin e lartë të aktivitetit të ndërtimit dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme në këto qendra. Kredia hipotekare zë pjesën më të madhe të portofolit të kredisë për individë vetëm në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që në rrethet e tjera ajo zë mesatarisht rreth 35 për qind."


Raporti
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë mësohet  se bankat në vend megjithëse e kanë përmirësuar disi situatën e tyre financiare në tremujorin e fundit të vitit 2009, kanë rezultuar me një portofol të kredive të këqija që shkon në 472 milionë dollarë amerikanë. Muajt e fundit të vitit 2009 tregojnë për një stacionim të kredisë së keqe, tashmë në disa vlera që nuk janë pa pasoja, por që mbeten ende larg rrezikut të besueshmërisë së bankave. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për muajin dhjetor të vitit 2009, huaja e keqe ka mbërritur në 10.5 për qind të portofolit total të bankave të nivelit të dytë. Por, pavarësisht se këto hua nuk mund të quhen të humbura, pasi ato janë të mbuluara me provigjone, rritja me ritme të shpejta e kredive toksike rrit riskun e sistemit bankar. Ndërkohë sipas raportit të BSH-së, në fund të vitit 2007 treguesi i kredive të këqija ishte 3.31 për qind e portofolit, ose në vlerë absolute, 97.2 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 97 milionë dollarë (me kursin aktual të këmbimit). Për sa i përket treguesit në përqindje, vihet re një trefishim të kredisë së keqe në harkun kohor të një viti. Rritja e kredisë së keqe në vlerë absolute në harkun kohor të një viti në sistemin bankar shqiptar është më shumë se 500 për qind. Bizneset e rrethit të Tiranës kanë thithur rreth 74 për qind të kredisë për biznese. "Në Tiranë operojnë mesatarisht 40 për qind e bizneseve dhe gati gjysma e bizneseve me më shumë se 50 punonjës. Në përgjithësi, shpërndarja e kredisë, edhe pse shfaqet e pabarabartë, ndjek përqendrimin gjeo-grafik të bizneseve në vend. Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e kredisë është në linjë edhe me profilizimin e rretheve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë."


Norma e interesit
Norma e interesit do të mbetet në të njëjtët shifra, 5, 25 për qind. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ky vendim garanton kushte të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e  faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Në veçanti, vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, stabilitetin e sistemit financiar në vend, në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vlerëson se tendencat e fundit korrektuese të treguesve të bilancit të pagesave janë zhvillime inkurajuese për qëndrueshmërinë afatgjatë të treguesve financiarë të vendit. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo qëndrueshmëri do të ndihmohej nga ndjekja e një politike fiskale të kujdesshme, e cila duhet të faktorizojë tashmë shëndetin afatgjatë të parametrave fiskalë në vendimmarrjen e saj.

Kriza botërore ndikoi në ekonominë shqiptare
Kriza botërore dha një ndikim të shpejtë në aktivitetin ekonomik në vend. Ajo u shoqërua me një reduktim të hyrjeve valutore në llogarinë korrente dhe kapitale, me një ulje të menjëhershme të kërkesës së jashtme dhe me një ngadalësim të kërkesës së brendshme për mallra e shërbime. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, ritmi i rritjes ekonomike shënoi një ngadalësim progresiv gjatë vitit të shkuar, por duke mbetur gjithsesi në territor pozitiv. Ecuria e bilancit të pagesave të vendit u karakterizua nga një zhbalancim i flukseve hyrëse dhe dalëse valutore. Ky zhbalancim u reflektua në lëkundjen e raporteve të kërkesës dhe të ofertës për valutë, duke rezultuar në nënçmimin e kursit të këmbimit në përgjigje të ekuilibrave të rinj që mbizotëruan në tregun valutor. Politika fiskale e forcoi karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke mbështetur aktivitetin ekonomik në vend por duke rritur njëkohësisht presionin në tregjet financiare.  Tronditja që pësoi sistemi financiar krijoi një mjedis të vështirë për transmetimin e plotë dhe në kohë të politikës monetare. Në këto kushte sfiduese, Banka e Shqipërisë arriti të përmbushë me sukses mandatin e saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi: inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi brenda objektivit tonë prej 3 + 1 për qind gjatë vitit 2009.

Politika e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve
Në përputhje me mandatin e saj ligjor, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është hartuar dhe zbatuar në funksion të arritjes dhe të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Gjatë vitit 2009, rreziqet kryesore ndaj stabilitetit të çmimeve kanë ardhur nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, luhatja e besimit të agjentëve ekonomikë, zhbalancimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe nënçmimi i kursit të këmbimit. Pavarësisht këtyre sfidave, Banka e Shqipërisë arriti të ruajë inflacionin e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Le të shohim më në detaje elementet e prekura më sipër. Politikat stimuluese rezultuan të suksesshme për pjesën më të madhe të vendeve. Aktiviteti ekonomik, rritja e të cilit ishte kryesisht negative në gjysmën e parë të vitit, shënoi një përmirësim të lehtë në gjashtëmujorin e dytë. Rimëkëmbja e kërkesës në nivel botëror ndikoi në rigjallërimin e ekonomisë dhe në rritjen e tregtisë, në përmirësimin e treguesve të besimit, dhe në krijimin e pritjeve më optimiste për të ardhmen. Gjithashtu, ndërhyrja e vendosur e autoriteteve në mbështetje të sistemit financiar ndihmoi në sheshimin e tensioneve të krijuara nga kriza. Ky normalizim u reflektua në reduktimin e primeve të rrezikut, në ecurinë rënëse të normave të interesit dhe në luhatshmërinë më të moderuar të tyre. Megjithatë, rikuperimi i aktivitetit ekonomik në botë mbetet i brishtë.

Në 2009 u ulën investimet
Të dhënat për kërkesën agregate tregojnë se ngadalësimi i konsumit privat dhe rënia e investimeve kanë qenë faktorët përcaktues në ngadalësimin e rritjes së kërkesës në vend. Eksportet neto kanë vijuar të japin kontribut negativ në kërkesën agregate gjatë vitit 2009, por në një masë më të vogël krahasuar me vitin 2008. Krahas kushteve të lehtësuara monetare, stimuli fiskal mbështeti ekonominë në gjenerimin e normave pozitive të rritjes gjatë vitit 2009. Konsumi privat është përbërësi kryesor i kërkesës agregate, me një peshë rreth 80 për qind të PBB-së. Ritmet e ngadalësuara të rritjes së pagave, rënia e remitancave dhe tkurrja e kredisë konsumatore, ndikuan në ngadalësimin e konsumit gjatë vitit 2009. Investimet private vlerësohen të jenë ndikuar më shumë sesa përbërësit e tjerë të kërkesës agregate nga kriza financiare dhe ekonomike botërore. Ngadalësimi i kërkesës së brendshme e të jashtme, pasiguritë lidhur me situatën ekonomike në vend dhe jashtë, si dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit kanë diktuar kontraktim të investimeve private gjatë vitit 2009.

Zhvillimet monetare dhe tregjet financiare
Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar në ekonomi është kushtëzuar nga tkurrja e burimeve financiare, luhatja e besimit në institucionet financiare dhe rënia e kërkesës për kredi bankare gjatë vitit 2009. Në fund të muajit mars, depozitat ranë në 55 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 63 për qind të shënuar në muajin shtator 2008. Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi.  Aktiviteti bankar njohu një rikuperim të ngadaltë gjatë tre tremujorëve në vijim. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6 për qind gjatë këtij viti, ose rreth 2 herë më pak se një vit më parë.  Rritja e masës monetare i detyrohet kryesisht rritjes së komponentit në lekë të saj, ndërkohë që kredia dhe depozitat në valutë kanë shënuar tkurrje gjatë vitit 2009. Krijimi i parasë në lekë është bazuar në huamarrjen e brendshme të sektorit fiskal dhe ruajtjen e ritmeve të kreditimit në lekë të sektorit privat.

Kursi i këmbimit
Në prani të ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe duke reflektuar situatën e vështirë të ekonomisë globale, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me rreth 3 për qind gjatë vitit 2009, duke qëndruar në nivelin 15.3 për qind të PBB-së. Megjithë korrektimin e lehtë gjatë vitit, deficiti korrent mbetet në nivele krahasimisht të larta dhe përbën një nga dobësitë e ekonomisë shqiptare. Ngushtimi i bilancit tregtar u ndikua nga rënia e njëkohshme vjetore e eksporteve dhe importeve tona, respektivisht me 18 për qind dhe 9 për qind. Situata e vështirë në vendet fqinjë është reflektuar edhe në rënien e remitancave, të cilat u tkurrën me 6.5 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që raporti i tyre ndaj PBB-së shënoi nivelin 9 për qind. Suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare u zvogëlua ndjeshëm gjatë vitit 2009, duke rënë me 35.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ecuri u diktua në një masë të madhe nga rritja krahasimisht e ulët e investimeve të huaja direkte dhe nga reduktimi i huamarrjes së huaj private.


Ornela Manjani

Last Updated on E Merkure, 07 Prill 2010 18:34

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›