E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Borxhi i Qeverisë po bëhet i papërballueshëm

 

Banka Qendrore dorëzohet përballë kërkesës së vazhdueshme të qeverisë për të financuar deficitin. Në deklaratën e djeshme për shtyp, Guvernatori Fullani e pranoi hapur se kërkesat e Qeverisë po e kalojnë cakun. Një alarm i fortë ky i thënë nga kreu i Bankës Qendrore, i cili përgjigjet për stabilitetin e ekonomisë së vendit. Në fakt kjo ishte paralajmëruar nga bankat e nivelit të dytë që një javë më parë, kur kërkesa e Qeverisë për borxh nuk u plotësua nga bankat.
Kërkesa e parë
“Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme. Për këtë arsye, ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim”. Ndoshta kjo ka qenë deklarata më e fortë e Fullanit që nga viti 2005. Sipas guvernatorit, marrja e masave për uljen e deficitit, si dhe ndjekja e një politike monetare të kujdesshme do të reflektohen në përmirësimin e treguesve të bilancit të pagesave, të cilët kanë kapur nivele të larta të deficitit tregtar dhe korrent. “Përmirësimi i treguesve të bilancit të pagesave është një kusht i nevojshëm për ruajtjen e stabilitetit financiar të ekonomisë në një periudhë afatmesme”. Në ankandin e fundit për bono thesari dhe obligacione dyvjeçare, bankat e nivelit të dytë nuk e përmbushën dot kërkesën e Qeverisë për borxh, edhe pse interesat fluturuan në 9.29 dhe 9.55 për qind. Shenja e parë kjo që qeveria po kërkon para më shumë se sa ka ofertë në treg.
Kërkesa e dytë
Por kjo nuk është e vetmja kërkesë e Fullanit. Në analizën e tij, guvernatori e shikon të dyshimtë të ardhmen e vendimeve të bankës pikërisht nga sjellja e qeverisë. “Ecuria e kursit të këmbimit do të varet nga ecuria e kërkesës dhe ofertës në treg, në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, politika jonë monetare mbetet e vendosur të faktorizojë luhatjet e mëdha të kursit të këmbimit në vendimmarrjen e saj, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetjen dhe sjelljen racionale të të gjithë aktorëve të tjerë ekonomikë dhe makroekonomikë. Banka e Shqipërisë gjykon se qartësimi i pozicionit të ardhshëm fiskal dhe i impaktit të tij mbi bilancin e pagesave do të krijonte hapësira për ndjekjen e një politike monetare më liberale”.
Efektet
Sipas Bankës së Shqipërisë, nevojat për likuiditet në sistemin bankar janë plotësuar nga operacionet në treg të hapur të bankës. Kjo ka injektuar të gjithë likuiditetin e kërkuar nga bankat tregtare, duke ruajtur njëkohësisht një strukturë të përshtatshme kohore të këtij injektimi. “Pavarësisht plotësimit të nevojave të likuiditetit, normat e interesit në tregun primar kanë vazhduar të jenë të larta, në praninë e kërkesës së qeverisë”. Sidoqoftë gjatë qershorit Banka e Shqipërisë vëren se interesat për kreditë e reja në lekë janë ulur. Rënie e normave të interesit regjistrohet edhe për kreditë e reja në euro gjatë këtij muaji. “Megjithatë, është ende shpejt të flasim për një lehtësim të ndjeshëm të kostos së kredidhënies nga sistemi bankar”, theksoi Fullani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›