E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata “shembi” buxhetin e shtetit, zbulohen ndryshimet

 

Fabiola Çela

Përfundimisht, edhe pse jo me fjalë, me shifra Qeveria e ka pranuar se ka qenë fushata elektorale ajo që e ka çorientuar keq balancën e buxhetit të këtij viti. Në shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregohet qartë se janë shpenzimet kapitale ato që i morën “frymën” arkës së shtetit gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për shpenzimet kryesisht për rrugë, që janë kryer deri tani, pra gjatë muajve të fushatës. Kjo ka sjellë që qeveria të bëjë disa ndryshime, në pamje të çuditshme, por të domosdoshme, në mënyrë që arka e shtetit të përballojë muajt e fundit të vitit. Gazeta ka siguruar projektbuxhetin e ndryshuar që do miratohet në shtator.
Të ardhurat
Në shpjegimin e Ministrisë së Financave për ndryshimin e buxhetit të këtij viti, argumenti kryesor është ulja e të ardhurave nga kriza financiare globale që ka dhënë ndikim edhe në Shqipëri. Financat tregojnë se deri në fund të vitit parashikohet një ulje prej 7.657 miliardë lekësh në arkën e shtetit, ose rreth 85 milionë dollarësh në të ardhura. Efekt ky i pranuar zyrtarisht nga ulja e aktivitetit të biznesit. Nga taksat dhe tatimet të ardhurat do të ulen me 10 miliardë lekë, ose rreth 111 milionë dollarë, por ndërkohë të ardhurat e tjera priten të rriten me 2.3 miliardë lekë. E thënë më thjeshtë, në buxhetin e vitit 2009, qeveria kishte parashikuar të arkëtonte 334.823 miliardë lekë, ndërsa tani parashikon të arkëtojë 327.166 miliard lekë, ose rreth 7.657 miliardë më pak.
Shpenzimet
Natyrisht, kur arkëton më pak edhe duhet të shpenzosh më pak. Por çuditërisht në buxhetin e ndryshuar të këtij viti nuk ndodh kjo. Qeveria, edhe pse ka më pak para, do të shpenzojë më shumë. Në buxhetin e vitit 2009 ishin parashikuar 384.834 miliardë lekë, ose rreth 4.27 miliardë dollarë shpenzime. Me buxhetin e rishikuar, për shkak të uljes së të ardhurave, shpenzimet çuditërisht janë rritur në 399.567 miliardë lekë. Por qeveria pranon se ka më pak para për shkak të krizës dhe korrigjon buxhetin duke shtuar investimet edhe 14.733 miliardë lekë, ose 163.7 milionë dollarë më shumë.
Ndarja e shpenzimeve
Shumica e shpenzimeve, në buxhetin e rishikuar të qeverisë, janë ulur. Nga rishikimi janë kursyer rreth 7.804 miliardë lekë shpenzime personeli dhe mirëmbajtjeje. Një veprim i logjikshëm ky. Por nga ana tjetër, në zërin “shpenzime kapitale”, qeveria kishte parashikuar të shpenzonte 90.436 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard dollarë dhe në korrigjimin që do i bëhet buxhetit do të shpenzojë 102.625 miliardë lekë, ose rreth 1.14 miliardë USD. Pra, rreth 140 milionë dollarë më shumë. Më thjeshtë, në kohën kur merr më pak të ardhura se sa kishte parashikuar, qeveria rrit shpenzimet kapitale me 140 milionë dollarë. Nga ana tjetër, në rishikimin e buxhetit, fondit rezervë i shtohen edhe rreth 12.4 milionë USD më shumë, si për të treguar që kriza ekonomike mund të prekë sërish të ardhurat e buxhetit.
Prekja nga fushata
Ka dy teza ekonomike për përballimin e krizës globale. Njëra është ajo e shkurtimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, duke mbajtur kështu të balancuar buxhetin dhe tjetra është e injektimit të parave në ekonomi, pra shtimit të investimeve shtetërore, edhe pse kjo ka një kosto në borxhin e buxhetit. Në pamje të parë duket, dhe shpesh është theksuar nga krerët e qeverisë se Shqipëria ka zgjedhur tezën e dytë, pra të injektimit të investimeve shtetërore. Kjo normalisht do ta justifikonte rritjen e shpenzimeve kapitale. Por janë disa vendime paraprake të qeverisë që tregojnë se ndryshimet, pra rishikimi i buxhetit në zërin e investimeve kapitale, nuk është bërë për injektim investimesh në ekonomi, por për mbylljen e investimeve të nisura. Në fillim të gushtit qeveria vendosi të pezullojë të gjitha prokurimet. Arsyeja e dhënë nga financat ishte mungesa e të ardhurave, pra mungesa e parave për të kryer investime të reja. Eshtë ky vendim i qeverisë, i pasuar edhe nga prekja e fondit rezervë me 40 milionë dollarë për ta kaluar në Ministrinë e Transporteve, që tregon se rishikimi i buxhetit nuk është bërë për të injektuar investime në ekonomi, por për të mbuluar investimet e kryera para gushtit, pra gjatë muajve të fushatës. Qeveria e kaloi me 140 milionë USD fondin e investimeve në rrugë dhe vepra publike, gjatë këtyre muajve, dhe ndryshimi që do të bëjë në shtator do të mbulojë pikërisht këtë veprim. Ndryshe, nuk do të kishin kuptim dy vendimet e tjera të qeverisë, ai i pezullimit të prokurimeve më 3 gusht dhe ai i një jave më vonë për kalimin e 40 milionë USD nga fondi rezervë në buxhetin e Ministrisë së Transporteve. Por edhe ky veprim e ka një të mirë. Të paktën punët e nisura në fushatë, tani do të kenë para të financohen.
Deficiti
Financat e kanë gjetur zgjidhjen e mbulimit të deficitit. Në fakt kishin dy zgjidhje dhe i kanë përdorur të dyja. E para kanë rritur borxhin. Në buxhetin e ri deficiti është rritur nga 50 miliardë që ishte parashikuar, në 72 miliardë lekë. Pra qeveria do marrë më shumë borxh. Por sërish paratë nuk dalin. Atëherë, ndryshe nga të gjithë historia e menaxhimit të buxhetit të shtetit në Shqipëri, këtë vit do të përdoren në masë paratë e privatizimeve. Në fillim të vitit ishte parashikuar që për financimin e deficitit të përdoreshin rreth 700 milionë lekë nga privatizimet. Në buxhetin e rishikuar kjo shifër do të arrijë në 27.793 miliardë lekë, ose pothuajse të gjitha paratë e marra nga shitja e ARMO-s, aksioneve të AMC apo licenca e katërt për kompaninë celulare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›