Paniku i humbjes çon Edvinin në histeri, urdhëron deputetët të bojkotojnë parlamentin

Opozita socialiste braktisi sot punimet e seancës plenare të radhës duke këmbëngulur në kërkesën e saj për heqjen e "taksës së votës", por veprimi ishte thjesht një shkak pa shkak për të destabilizuar situatën politike në vend. E madje synimi i Partisë Socialiste është që të krijojë një klimë të tensionuar edhe në zgjedhje, për të sjellë një amulli dhe destabilizim të situatës. Vendimi i opozitës u paralajmërua nga kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, e cila ripërsëriti shqetësimin për pajisjen e qytetarëve me karta falas. Në emër të grupit të PS-së ajo u shpreh kritike dhe ndaj vendimit të fundit të qeverisë për rimbursimin në një masë të madhe të këtyre dokumentave. "Vendimi i qeverisë për të rimbursuar çmimet e kartave nuk është reflektim ndaj këtij problemi dhe është një zgjidhje e cunguar. Me këtë qëndrim qeveria po iu mohon shqiptarëve të drejtën e votës, duke çuar në prishjen e procesit zgjedhor të 28 qershorit", deklaroi Leskaj. Qeveria, në vendimin e saj të fundit, ka ulur tarifën e kartave të identitetit për shtresat në nevojë dhe për studentët të cilët nga 12000 lekë të vjetra duhet të paguajnë 2000 lekë të vjetra. Ndërsa disa kategori të tjera, si të verbërit, paraplegjikët, tetraplegjikët, apo komuniteti rom i përfitojnë falas këto dokumente.
Edi Rama tashmë e ka të qartë se këto zgjedhje janë fundi i karrierës së tij politike. Kjo është edhe arsyeja që ai mundohet të përdorë çdo mjet të mundshëm, që nga krijimi i policisë së tij zgjedhore e deri tek thirrja ndaj qytetarëve për të mos marrë pjesë në zgjedhje, në mënyrë që të bëjë që ato të dështojë. Rama është duke u munduar si tre katër vite më parë, që dëshmitet e tij, ose tua lërë mbi kurriz ish liderve të PS-së, ose përkrahësve të kësaj force politike. Rama e ka ndjerë “shpejt” humbjen e tij, ndaj bën lëvizja të tilla që nuk janë aspëk të denja për një kryetar opozite. Pezullon median, paguan individë për të protestuar, mundohet të bllokojë kuvendin, të bllokojë çdo proces demokratik vetëm e vetëm për të nxjerrë Shqipërinë në sytë të botës si një vend jo të denjë për të qenë pjesë emancipuese e perëndimit. Edi Rama ka një paaftësi të madhe për tu bërë pjesë integruese, për të jetuar në një shoqëri demokratike dhe për të qenë një nga liderët politikë në këtë lloj shoqërie. Ai ka frikë nga zhvillimi, ka frikë nga çdo proces demokratik, sepse ai as nuk e kupton e as nuk e kapërdin dot faktin se periudha e mendësive të tij ka marrë fund. Rama vuan nga mungesa e ideve. Ata që nuk kanë ide janë të humbur, por ai nuk pranon dot as humbjen. Dhe kjo do të thotë se ai do të jetë një problem i shoqërisë shqiptare për sa kohë do të jetë në pozitat aktuale.
Topalli, kritika opozitës për bojkotin në Kuvend
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi ndaj vendimit të opozitës për të braktisur punimet e seancës së sotme plenare. "Ndërkohë, që sot kemi një moment të rëndësishëm, kur do të dëgjojmë raportin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe parlamenti do të flasë për krizën ekonomike, opozita, që paraqitet e 'merakosur', largohet nga salla", u shpreh Kryetarja e Kuvendit, pak çaste para paraqitjes në Kuvend të raportit vjetor të Bankës Qendrore. Opozita socialiste braktisi punimet e seancës plenare të radhës duke këmbëngulur në kërkesën e saj për heqjen e "taksës së votës".
...