Fullani: Do të kthejmë hotel “Dajtin” në origjinë
Hotel “Dajti” do të restaurohet nga Banka e Shqipërisë, për t’u kthyer në vlerat fillestare të tij, shpjegoi dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. I ndërtuar rreth viteve ’30, nga Gherardo Bosio, një arkitekt fiorentinas i shkollës së “racionalizmit“ të shekullit XX, dhe i dizenjuar në detaje nga Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern europian, ai ndahet në një distancë shumë të shkurtër me godinën qendrore të Bankës së Shqipërisë. Me sipërfaqen e tij të madhe dhe vendndodhjen fizike, godina plotëson kërkesat e Bankës së Shqipërisë për zgjerimin e strukturës, si dhe do t’i vijë më së miri në ndihmë angazhimit të saj, për të qenë transparente, e hapur dhe sa më afër publikut, tha Fullani. Nga këndvështrimi historik, hotel “Dajti“ për qytetarët e Tiranës ka qenë një nga veprat më të spikatura dhe njëkohësisht më të lakmuara. Eleganca, pajimet dhe mobilimet e hotelit ishin të një niveli të veçantë, në përputhje me rangun e tij. Ndërsa, në planin rajonal, kjo ndërtesë është vlerësuar për shumë kohë, si hoteli më modern i Ballkanit. Banka e Shqipërisë, në kuadrin e restaurimit të ndërtesës, ka hartuar planet për funksionimin e ndërtesës në shërbim të veprimtarisë së saj. Pavarësisht shkatërrimit që ka pësuar gjatë këtyre viteve, këto projekte parashikojnë rikthimin e ndërtesës në të gjithë aspektet e saj në gjendjen fillestare, ringjalljen e këtij objekti dhe kthimin e shkëlqimit të dikurshëm. Vlen të theksohet se restaurimi do të kryhet në përputhje me idetë fillestare të arkitektit Bosio, por natyrisht në kushtet e shekullit të ri, pa harruar edhe ambientin e gjelbëruar përreth tij.